Gjirokastër, banorët që rrezikohen nga shembja e pallatit i dërgojnë letër Ramës. Ja çfarë i shkruajnë

Në një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama, 90 banorët e rrezikuar nga rrëshqitja e tokës në lagjen “Punëtore” në Gjirokastër të rraskapitur, të shqetësuar dhe të acaruar kërkojnë ndihmë dhe mbështetje institucionale. Edhe pse janë rikthyer në banesat e tyre ata jetojnë me frikën që do të sjellë e nesërmja, ndërsa rrëshqitjet e tokës janë të vazhdueshme.

Pamjet janë të frikshme, gati sureale. Sipas banorëve rrëshqitjet e tokës kanë nisur pikërisht pasi në kodër, aty ku është edhe pallati i tyre, po ndërtohet një tjetër ndërtesë, nga e cila rrezikon të shembet i gjithë pallati.

Një ditë më parë policia e Gjirokastrës referoi në prokurori materialet për ndërtim pa leje të pronarëve të godinës që kreu punimet, të cilat deri tani konsiderohen si përgjegjëse për rrëshqitjen e masivit të dheut kodrinor. Të alarmuar nga rrëshqitjet e dherave dhe nga lëkundjet që kanë ndjerë, 15 familje kanë braktisur pallatin ku jetonin. Ata kërkojnë ndërhyrjen e kryeministrit për t’i dhënë zgjidhje situatës që sipas tyre nuk e merr përsipër asnjë autoritet.