“Gjirokastër-Histori suksesi 2016”, Bordi përzgjedh 13 personazhet e parë që do të jenë në libër

Gjirokastra1Të paktën 14 personazhe ka aprovuar Bordi i projektit “Gjirokastra- Histori suksesi 2015”, një projekt i Albanian Excellence, Agjencisë Telegrafike Shqiptare nën kujdesin e  veçantë të Bashkisë Gjirokastër dhe kryetares së Bashkisë së qytetit të gurtë, Zamira Rami.
Anëtarët e Bordit , njerëz të niohur të qytetit nga fusha të ndryshme pas propozimeve përkatëse të bëra në mbledhjet e mëparshme, njohjes së personazheve, aprovuan për të qenë në librin e suksesit në botë të qytetarëve të Gjirokastrës të ikur pas viteve ’90-të, figura të tilla të njohura si,  Bashkim Ahmeti, piktor,  Ervis Gega violiniste, Arben Xhixho gazetar, Agron Fico, studiues,  Edmond Angoni artist,  Mumtaz Dhrami, skulptor, Hari Papazisi mjek, Dhurarta Lazo, pianiste,  Aristitel Pano analist ekonomik, Geri Kokalari, ekspert në komunikim , Mira Mezini informaticiene,  Rigels Halili student i laureuar me çmim ndërkombëtar , Bujar Llapaj, dirigjent.

Ndërkohë vazhdon puna nga anëtarët e bordit për përzgjedhjen e personazheve të tjerë të spikatur në fusha të tjera, të cilët me dinjitetin e tyre profesional kanë ditur të ndërtojnë një histori suksesi atje ku ata jetojnë.

Çdo gjë është mirëpërcaktuar nga ideatorët e këtij projekti, të cilët nënvizojnë se kriteret bazë të përzgjedhjes së  personazheve që do të jenë në librin “Gjirokastar-Histori suksesi  2016”,  është  një CV profesionale e arrirë, të qenët aktivë në komunitetin shqiptar ku jetojnë, sikundër do të kihen  parasysh rekomandimet nga njerëz të njohur të kandidatëve , apo edhe referimet që do t’u bëhen  shkrimeve të ndryshme që janë botuar për këta personazhe apo edhe studimeve  apo referateve të shkruar nga vetë personazhevet, të cilat sipas shumë gjasave do të botohen krahas intervistave të këtyre personazheve dhe në librin “Gjirokastra-Histori  suksesi 2016”.

Drejtuesit e projektit,  i njohën anëtarët e bordit me takimin e zhvilluar pak ditë më parë të kryetares së Bashkisë Gjirokastër , znj Zamira Rami dhe të stafit të Albanian Excellence, me shkrimtarin e njohur me famë botërore , Ismail Kadare, i cili  ndër të tjera dashamirësisht mbështeti këtë projekt, i cili evidenton vlerat njerëzore të qytetarëve gjirokastritë në botë.

Një sërë aktivitetesh do të zhvillohen në Gjirokastër në kuadër të lindjes së shkrimtarit të madh,  i cili më 28 janar 2016 mbush 80 vjeç.  Deri më tani është menduar që në ditën  e lindjes së shkrimtarit të madh të organizohet edhe Ditët e Ekselencës Gjirokastrite, ditë e cila do ta vendosë qytetin e gurtë , pasuri botëtore e UNESCO-s në qendër  të vëmendjes së jetës sociale, politike dhe diplomatike në vend . Ashtu sikundër është vepruar dhe në qytetet e tjera ku është organizuar ky aktivitet,  si në Vlorë, Berat, Fier, gjatë këtyre ditëve në Gjirokastër do të ftohen të vijnë, personazhet e librit “Gjirokastra-Histori suksesi 2016”,   ndërsa do të organizohen edhe një sërë aktivitetesh të karakterit qytetar.  Një mbrëmje Gala do të promovojë librin,  parahyrja e të cilit do të shkruhet nga shkrimtari i madh Kadare, ndërsa në skenën e kësaj mbrëmje do të ngjiten personazhet e suksesit gjirokastrit në botë ./atsh