Gjirokastër, pas shiut inertet mbulojnë rrugët

tmp_15784-shiu-prizreni-rrebesh-1477662159Prej mbrëmjes së djeshme rrethi i Gjirokastrës është përfshirë nga rreshje të dendura të shiut të shoqëruara me erë të fortë dhe shkarkime elektrike. Stuhia ka sjellë mjaft probleme për komunitetin e banorëve, të cilët pothuaj kanë qenë gjatë gjithë natës pa energji elektrike.

Ndërkohë si pasojë e intensitetit të lartë të shiut, nga lagjet e sipërme janë depozituar mbetje të shumta në pjesën e poshtme të qytetit të gurtë. Por më të vështirë qarkullimin e njerëzve e mjeteve e kanë bërë materialet inerte të shperndara nëpër rrugë dhe kanalet e hapura nga firma që po kryen ndërtimin e ujesjellësit të ri të Gjirokastrës.
Ndërkaq Bashkia e Gjirokastrës, nuk ka marrë asnjë masë për përmirësimin e gjendjes në fjalë. Në rrugët e qytetit, përvecse dy punonjës të komunales, nuk shikohet asnjë punonjës tjetër.

Shumë automjete janë dëmtuar pasi kanë rënë në këto kanale të mbushura me ujë. Në disa biznese në lagjen “18 shtatori” uji ka depërtuar në brendësi e po ashtu dëme ka patur edhe në frutikulturë. Nga të dhënat e mara nga Drejtoria e Bujqësisë ka patur thyerje të shumë pemëve frutorë dhe dëmtim të vreshtave në shumë fshatra, por edhe në qytet. Probleme ka patur edhe në disa stalla ku era e fortë, ka hequr çatitë me llamarina duke rrezikuar ngordhjen e krerëve.