Gjirokastër, veç socialistëve Zamira Ramit nuk i shkojnë në mbledhje as këshilltarë të PD-së

Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak Gjirokastër, ku ishte parashikuar që LSI dhe PD të shkarkonte sekretarin e PS-së, Semi Golemi, ka dështuar. Shkak është bërë mungesa e kuorumit të duhur për zhvillimin e mbledhjes. Këshilltarët e PS-së nuk ishin paraqitur në mbledhje. Veç tyre kishte mungesa edhe nga radhët e këshilltarëve të PD-së. Të paktën tre prej tyre nuk ishin; Ilia Kuro, Dasho Aliko etj. Në këtë kuptim seanca u ndërpre, për të vijuar një ditë tjetër me të njëjtin rend dite. Kryetarja e Këshillit, Mimoza Çomo, u bëri thirrje këshilltarëve që të mos bojkotonin mbledhjen sepse në këtë mënyrë dëmtojnë qytetarët. PD dhe LSI kanë krijuar një shumicë të brishtë këshilltarësh me vetëm një më tepër sesa PS-ja. Pas shkarkimit të kreut të këshillit, ata duan të shkarkojnë edhe sekretarin që është zgjedhur para tre vitesh si propozim i PS-së.