“Gjirokastra kryeqendër e turizmit”, Kumbaro takohet me banorët në zonën muzeale

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka zhvilluar sot pasdite një takim me banorë të zonës muzeale të Gjirokastrës, me të cilët bisedoi për projektet dhe ndërhyrjet që janë bërë në këtë zonë, si dhe sqaroi dezinformimin që bëhet shpesh për këto investime.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te projekti i “Bypass-it”, Kumbaro tregoi të gjithë procesin ligjor nëpër të cilin ka kaluar ky projekt, duke theksuar se çdo ndërhyrje në zonën muzeale të Gjirokastrës bëhet me miratimin e UNESCO-s. Sipas saj ky projekt synon të shndërrojë zonën muzeale totalisht në shërbim të këmbësorëve.

“Projekti i ndërtimit të “Bypass-it” është një prej zgjidhjeve të propozuara dhe nuk kemi shkuar asnjë hap më para. Asgjë nuk do të bëhet pa vullnetin e banorëve të Gjirokastrës”, u shpreh Kumbaro.

Më pas ministrja shprehu edhe njëherë ambicien dhe vizionin e saj për ta kthyer Gjirokastrën në kryeqendrën e turizmit në jug të vendit. Javën e shkuar Kumbaro zhvilloi edhe një takim konsultativ me Forumin Gjirokastra, ku diskutoi sërish projektin e “Bypass-it”./ LibohovaOnline