Gjirokastra po zbrazet, më pak nxënës në shkolla, mungojnë ende disa tekste (VIDEO)

Në Gjirokastër 23 shkolla dhe degët e tyre në disa fshatra po përgatiten për fillimin e vitit të ri mësimor.

Ndërsa nuk priten ndryshime në personelin arsimor, numri i nxënësve është duke u reduktuar në të gjitha shkollat, e lidhur kjo me largimin e shumë familjeve nga rajoni për në emigracion, apo drejt Tiranës. 

Tekstet mësimore janë duke u shpërndarë në shkolla, ndërsa procesi pritet që të përfundojë brenda kësaj jave. Sipas Drejtorisë Rajonale Arsimore, 10% e teksteve ende mungojnë.

“Të gjitha institucionet shkollore në Gjirokastër janë gati për fillimin e vitit të ri, më 11 shtator. Çdo gjë është ok, procesi i shpërndarjes së librave ka nisur. Situata është normale, ka disa probleme të vogla, por jo madhore që të pengojnë procesin mësimor”, deklaron Esmeralda Kore, specialiste arsimi.

Sipas informacioneve që vijnë nga vetë shkollat, shumë prej tyre ende nuk janë lyer për këtë vit, ndërsa disa prej tyre ende kanë të pazgjidhur riparimin e tualeteve dhe sistemin e ndriçimit.