Golemi tallet me Tavon: Punon deputet prej 20 vitesh, sillet sikur s’ka qenë kurrë në pushtet

Flamur Golemi, kandidati i PS-së për deputet në Gjirokastër ka vijuar takimet elektorale.

Së fundi ai është ndalur në lagjen “Palorto”, i shoqëruar nga Bledi Cuçi dhe Artemis Dralo.

Në fjalën e tij para banorëve, Golemi tha se sot Gjirokastra është një qytet ndryshe falë investimeve të qeverisë shqiptare dhe se në mandatin e dytë shumë më tepër kanë për t’u bërë. Edhe kësaj here Flamur Golemi ka sulmuar Vangjel Tavon, për të cilin ndonëse nuk e përmendi me emër tha se është deputeti që ka 20 vjet në Kuvend dhe sillet sikur s’ka qenë kurrë në pushtet.

“Kemi bërë shumë për Gjirokastrën në këto 4 vite, por jo aq sa duhet dhe kemi nevojë të gjithë së bashku. Shumë më shumë kemi për të humbur nëse bëjmë zgjedhje tjetër veç PS-së. Gjirokastra s’ka më nevojë për deputetë që nuk kanë punuar kurrë në profesion, por të vetmen punë që njohin është të bëjnë deputetin prej 20 vitesh dhe në çdo fushatë të sillen sikur s’kanë qenë kurrë në pushtet. Dhe e vemtja “arritje” që u ka mbetur është të thonë se u hapin celularin qytetarëve…  Ne kemi nevojë për njerëz që punojnë për të zgjidhur problet përmes institucioneve, jo përmes celularit të një deputeti. Kjo nuk është Shqipëria që duam”, shkruan Golemi teksa publikon edhe pamjet nga ky takim.