Greqia: Tekstet shqiptare, me propagandë antigreke

Hellenic_Parliament-MPs_swearing_inDisa deputetë grekë kanë shfaqur shqetësim për tekstet shkollore shqiptare. Sipas tyre, Shqipëria nuk e ka respektuar marrëveshjen me Greqinë për heqjen e referencave irredentiste në librat e Gjeografisë apo ato të Historisë. Gjithçka nisi pas disa publikimeve në shtypin grek, që i referohen një artikulli të fundit për librat shkollorë të Gjeografisë së Shqipërisë në blogun në greqisht “Fjala e lirë e Gjirokastrës”.

Dy deputetë të Parlamentit grek kanë thirrur në interpelancë ministrin e Arsimit, Andreas Loverdos, për të kërkuar menjëherë nga autoritetet shqiptare korrigjimin e këtyre teksteve shkollore. Në fillim, deputeti i partisë së djathtë “Grekët e Pavarur”, Terenc-Nikolaos Kuik, dhe më pas deputetja e partisë qeverisëse Demokracia e Re, Tania Iakovidhou, kanë denoncuar para Parlamentit grek se në librat me të cilët nxënësit shqiptarë mësojnë gjeografinë e vendit të tyre, ende ka referime irredentiste për treva shqiptare brenda territorit grek. Ndërsa paralelisht, nga librat grekë të Historisë është hequr në bazë të marrëveshjes dypalëshe, historia reale për helenizmin vorio-epirot, nga lashtësia deri në ditët e sotme.

MARREVESHJA
Sipas deputetes Iakovidhou, Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord për eliminimin e referencave irredentiste dhe përshkrimeve të cilat krijonin probleme në marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje. Madje Greqia ka bërë hapin e parë, duke hequr nga tekstet e saj çdo lloj referimi nga minoriteti kombëtar grek, i njohur realisht edhe në nivel ndërkombëtar si Vorio-Epir, i mbrojtur nga Protokolli Ndërkombëtar i Korfuzit që nuk është shfuqizuar kurrë. Mirëpo sipas deputetes greke, Shqipëria nuk ka vepruar njësoj. “Shqipëria, edhe këtë vit ndan tekste ne të cilat mësohet se Konica, Kosturi, Follorina dhe krahina në përgjithësi e Thesprotisë, e quajtur Çamëria, janë treva shqiptare që tashmë i përkasin Greqisë”, – ka deklaruar ajo.

Nga ana tjetër, deputeti i partisë “Grekët e Pavarur”, Terenc Kuik i konsideron tekstet shkollore shqiptare si një propagandë antigreke me anë të së cilës qeveria “Rama” synon pakicat e minoritetit grek në Shqipëri. Pasi ka kujtuar takimin e disa muajve më parë të ish-ministrit grek të Arsimit me homologen e tij shqiptare, Lindita Nikolla, ku është rënë dakord për heqjen e këtyre referencave, ai ka deklaruar se asgjë nuk është bërë nga pala shqiptare. Disa ditë më parë, me një artikull të hollësishëm, blogu grek “ellogosar.blogspot.com” ka publikuar rreth 12 faqe nga tekstet e Gjeografisë të klasës së 9-të dhe të 12-të, që mësohet në shkollat e Shqipërisë këtë vit. Sipas artikullit, konkretisht në faqen 4 të librit përkatës, konsiderohen si treva shqiptare Çamëria, Konica, Kosturi, Follorina etj. E njëjta gjë ndodh edhe trevat e tjera shqiptare në Serbi, Mal të Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në faqen 7 ka referim për Konferencën e Ambasadorëve në Londër në 1913-ën, që dhuroi treva shqiptare tek shtetet fqinje, duke vazhduar në faqen 8, me dhënien e Çamërisë po këtë vit Greqisë. Referencat për trevat shqiptare dhe popullsinë e tyre vazhdojnë në faqet 10-11, 29, 134-135, 188-190, si dhe në librin e Gjeografisë të klasës së 12-të. Përfaqësuesit e qeverisë greke kërkojnë rishikimin e teksteve dhe heqjen e referencave antigreke prej tyre./GSH