Historia e Anës nga Gjirokastra, vajza i shkruan babait: Të lutem më prano, jam fëmija tënd

Gjatë katër viteve, rreth 10 mijë persona kanë preferuar të mos u drejtohen gjykatave për të zgjidhur konfliktet e tyre, por t’i zgjidhin përmes ndërmjetësimit.

Bëhet fjalë për mosmarrëveshje të tilla që nga mosrespektimi i kontratave të punës, për markat tregtare, deri tek çështjet me të dëmtuar akuzues kryesisht për veprën e shpifjes dhe rrahjes.

“Janë të pronave që janë me shumicë, pastaj për çështje tregtare, pune dhe civile. Ne jemi pjesë e Kodit të Procedures Civile dhe gjykatat duhet t’i orientojnë palët tek ndërmjetësimi para se të nisë procesi”, thotë Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit.

I tillë është edhe rasti i Anës nga Gjirokastra, e cila nuk iu drejtua gjykatës për të njohur atësinë e vajzës, që refuzohej nga babai biologjik.

Me vullnetin e saj, gruaja ka kërkuar ndërmjetësimin me ish-partnerin, i cili është bindur pas një letre të shkruar nga e bija.

“Pesë rreshta bënë që kjo gjë të zgjidhej me ndërmjetësim. Vajza i shkruante të atit të lutem më prano”, thotë Drita Avdyli./tch