Homazh për martirët e Loçanit dhe borxhi që historianët i kanë Libohovës

Nga Mirela Kumbaro

Ishte nder për mua të dërgoja sot nje tufë lulesh? në memorialin e Martirëve të Loçanit.  Libohova në shkurt ka dy data të rëndësishme: 11 shkurt 1943, qe Historia e ka fiksuar si datën e çlirimit të Libohovës nga fashistët italianë, sepse po sipas kësaj historie nazistët gjermanë nuk u vendosën asnjëherë në Libohovë. Për këtë kam shkruar diçka në 11 shkurtin që shkoi duke theksuar se në Luftën Antifashiste morën pjesë jo pak patriotë libohovitë, pavarësisht nëse ishin të angazhuar politikisht pranë forcave partizane apo pranë Ballit Kombëtar, ata që luftuan dhe ata që dhanë jetën, e bënë në emër të dashurisë për Atdheun, për Libohovën.

1 vit më pas, në 17 shkurt të vitit 1944, një ngjarje tragjike ka ndodhur në Libohovë, në lagjen Loçan, një masakër në të cilën humbën jetën 24 burra, emrat e të cilëve po i listoj një nga një në rend alfabetik sepse meritojnë një homazh të posaçëm:
Bajram Leka
Braho Bano
Baftjar Havo
Çerçiz Hisa
Daut Karavidha
Enver Hiso
Ethem Hiso
Eqerem Tusuni
Neshet Sinani
Hasan Bano
Islam Ruçi
Izet Tusuni
Mujo Cepo
Sulo Bilibashi
Shefqet Beqo
Sulo Ruçi
Sherif Hunda
Shezo Muslimi
Shiko Peça
Shefki Peça
Teki Kodra
Vedat Lulushi
Xhelal Maçi
Xhevat Peça
24 libohovitë martirë të një përplasjeje vëllavrasëse, humbën jetën në një kohë midis dy epokave: asaj të fundit të Luftës Çlirimtare, që mori mijëra jetë vajzash e djemsh të cilët besuan në një ideal, dhe të fillimit të një fare që do të prodhonte diktaturë dhe persekutim politik për gati gjysëm shekulli.
Ata janë pa dyshim jo vetëm martirë, por ishin bij të familjeve me emër e traditë të Libohovës, familje që kanë kontribuar historikisht në respekt të atdhedashurisë dhe të vendlindjes, si në pavarësimin e Shqipërisë nga perandoria osmane ashtu edhe në çlirimin nga pushtuesit.
Jo vetëm kaq, ata ishin edhe baballarë e gjyshër të familjeve të cilat, për këtë shkak, u persekutuan mizorisht e padrejtësisht nga regjimi komunist, por që jetuan me dinjitet e ndershëmrisht me punën e tyre e me djersën e ballit. E për të gjitha këto ata kanë arsye të jenë sot krenarë.
Unë besoj se masakra e Loçanit është nga ato jo pak ngjarje që pas 40 viteve diktaturë e 30 viteve përpjekje për të ndërtuar demokraci, mbetet më shumë në terr se sa e ndriçuar, mbetet më shumë e panjohur se sa e studjuar, mbetet e padëshmuar siç dhe sa do të duhej dhe për pasojë mbetet edhe emocionalisht e keqinterpretuar.
?Historianët i kanë një borxh Libohovës duke mos hulumtuar, kërkuar e dokumentuar ende deri më sot sa duhet një ngjarje si kjo, siç e mendoj unë në dijen time modeste.
?Nga ana tjetër une besoj se brezi i historianëve që shkruan historinë e gjysmës së dytë të shekullit XX në shërbim të ideologjisë së dikaturës, apo nen efektin e subjektivizmit kunder saj, nuk mund të jenë më në gjendje të rishkruajnë atë periudhë historike me paanshmëri e jashtë klisheve gjysëmshekullore që shkuan.
?Por po ashtu besoj fort se një brez i ri historianësh mund dhe do ta bëjë këtë, pse jo historianë të rinj libohovitë që mund të kenë edhe një motiv më shumë për të ndriçuar më mirë ato ngjarje që dhembin, por që nuk shërohen duke i lënë të pa ndriçuara.
??Nuk mund dhe nuk duhet që në vitin 2021 mendja e të rinjve libohovitë të mbushet me komentet badiava të rrjeteve sociale që gjejnë hapësirë në mungesë të një shkrimi profesionist të Historisë.
??Do të jetë një kontribut i vyer jo vetëm për homazhin ndaj martirëve, por edhe një kontribut për të mos e lënë të shkuarën të përdoret për përçarje, për ndasi mes njerëzve e akoma më keq të mos përdoret për cicmicet banale te politikës së ditës.
❗️Edhe njëherë, Historinë nuk e shkruaj as unë që nuk jam historiane dhe as komentuesit e rrjeteve sociale, prandaj të mos i ngatërrojmë gjërat se këtu nuk marr përsipër të sjell fakte që s’i kam.
?Sot nderojmë dhe përkujtojmë jetët e humbura padrejtësisht të 24 libohovitëve.

Ama, historia e familjes time të ngushtë, sikurse historia e shumë familjeve libohovite, gjirokastrite, e shqiptare, më ka mësuar se të parët e mi, ata që kanë qenë me Ballin dhe ata që kanë luftuar me rezistencën partizane, ata që kanë bërë burg politik e janë persekutuar dhe ata që kanë punuar gjithë jetën me ndershmëri për një shoqëri që e besuan idealisht të barabartë, – në të gjitha rastet,- e kanë dashur shumë njëri tjetrin, vëllain, mikun, fqinjin, të pamundurin, të persekutuarin, kanë respektuar çdo vuajtje e kanë përkujtuar çdo jetë të humbur padrejtësisht apo të sakrifikuar me besimin te e ardhmja, dhe, në fund të fundit, më kanë mësuar, se në çdo kohë e mbi të gjitha, të respektoj amanetet dhe të dua e t’i shërbej sa të mundem vendlindjes së babait, gjyshërve, stërgjyshërve të mi, Libohovës dhe Gjirokastrës.