I nxehti afrikan, a ka vend për panik në Shqipëri?

temperature-800x500Vendi ynë po përballet prej disa ditësh me temperatura të larta, ndërsa nuk kanë munguar raportimet në media se Shqipëria është goditur nga i nxehti afrikan, me temperatura që shkojnë në mbi 40 gradë celcius.

Por a ka vend për panik?Duke folur për Tema Tv, Petrit Zorba, përgjegjës në Departamentin e Klimës dhe Mjedisit në Institutin e Gjeoshkencave, thotë se kemi të bëjmë me një situatë normale për muajt e verës.

Nga matjet e temperaturës që ata kanë kryer si institut, temperatura nuk i ka kaluar 37 gradët në Tiranë e Fier, ndërsa pranë vijës bregdetare temperaturat kanë qenë 32-33 gradë celcius.

Sipas tij s’ka vend për panik dhe nuk duhen paraqitur shifra të paqena si 40 apo 45 gradë.

Të dhënat meteorologjike që janë zyrtare dhe që transmetohen nga institucioni jonë i referohen normave dhe standardeve të meteorologjisë të Organizatës Botërore të meteorologjisë që kanë kritere specifike të caktuara për matjen e temperaturave”, thotë Zorba.

Në dhjetë ditët e mbetura të korrikut parashikohet që temperatura të mos kalojnë 38 gradë celcius. Pritet që në fund të këtij muaji të ketë një rënie graduale të temperaturave. Por sic thonë specialistët temperatura në qytetet shqiptare ndjehet shumë edhe prej faktit se ka mungesë të theksuar të cezmave publike, të shatërvaneve dhe parqeve me pemë.  

Mjekët rekomandojnë të shmangen daljet në diell në orët e pikut si dhe të konsumohen sa më shumë ujë dhe lëngje freskuese.

Kujdesi më i madh duhet treguar ndaj të moshuarve, fëmijëve dhe grave shtatzëna. Më poshtë sjellim 12 mënyrë se si mund të shmangni vapën, pa qenë nevoja e përdorimit të kondicionerit.

1.Mbyllni grilat, dritaret, dhe perdet. Ky detaj mund t’ju duket i parëndësishëm, por shumica e të nxehtit vjen nga dritaret. Marrja e këtyre masave do të lejojë uljen e temperaturave brenda shtëpisë në disa gradë.

2.Mbani mbyllur dyert e dhomave në shtëpi që të ruhet ajër i freskët brenda secilës dhomë. Hapini përpara se të shkoni të flini kështu ajri mund të qarkullojë nga një ambient në tjetrin.

3.Nuk është mjaftueshëm i ftohtë ajri që del nga ventilatori? Merrni një tas të madh dhe mbusheni me akull, pastaj vendoseni përpara ventilatorit. Avulli i ftohtë që do të dalë nga tasi me akull do të përhapet në të gjithë dhomën me anë të ventilatorit.

4.Kushtojini rëndësi materialit të carcafëve që përdorni. E mira është të jenë prej pambuku pasi qëndrojnë më të freskët. Jastëku nga ana tjetër këshillohet të jetë i mbushur me hikërror pasi lejon kalimin e ajrit pa ruajtur nxehtësinë.

5.Jo të gjithë e dinë, por ventilatorët e varur në tavan duhet të rregullohen sipas sezonit. Në verë, helikat duhet të rrotullohen kundër akrepave të sahatit për të drejtuar ajrin poshtë dhe për të krijuar një erë e ftohtë.

6.Mos u angazhoni vetëm në freskimin e shtëpisë, edhe temperatura e trupit tuaj është e rëndësishme. Pini lëngje të freskëta dhe laguni me një leckë të njomë në qafë dhe pulse. Vishuni lehtë.

7.Pas dushit mos harroni të ndizni aspiratorin e banjës për të eleminuar lagështirën. E njëjta gjë vlen edhe për në kuzhinë pasi është gatuar, për të larguar nxehtësinë.

8.Për të fjetur të qetë mund të përdorni jastëkë të ftohtë për t’i vendosur poshtë kokës. Bëni të njëjtën gjë me këmbët, për të cilat mund të përdorni edhe një shishe me ujë të ftohtë. Këto teknika do t’ju mbajnë të freskët juve dhe krevatin.

9.Nëse temperatura e brendshme rritet gjatë natës, hapni dritaret e shtëpisë për të krijuar korent. Mos harroni t’i mbyllni në mëngjes para se ajri të ngrohet sërish.

10.Edhe llambat e ndezura ndikojnë në ngrohjen e ambientit. Sidoqoftë mbani mend që llambat fluoreshente nuk e nxehin ajrin aq shumë sa ato të tjerat.

11.Nëse duhet të gatuani, zgjidhni alternativën më të thjeshtë, gatuani jashtë. Kështu sakrifikoheni ju që pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë të freskët brenda në shtëpi.

12.Nëse mund t’ia lejoni vetes disa shpenzime më shumë, atëherë vendosni izolantë në dritare ose blini tenda për të qenë më të freskët në muajt sfilitës të verës.