Intervista/ Kumbaro: Restaurim dhe ndriçim për Kalanë e Libohovës (VIDEO)

Kalaja e Libohovës do të restaurohet dhe ndriçohet”. Kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në një intervistë për televizionin publik Gjirokastra.

Ndërsa foli për investimet e qeverisë shqiptare në qarkun e Gjirokastras, i cili sipas saj do të kthehet në një qendër turistike për jugun e vendit, Kumbaro u ndal në mënyrë të veçantë te investimet në Bashkinë Libohovë.

Sipas saj Libohova ka qenë krejtësisht jashtë vëmendjes së qeverisë deri katër vjet më parë.

“Ne kemi rreth dy vjet që me bashkinë e re të Libohovës të krijuar pas reformës territoriale, jemi në një intensitet investimesh shumë interesante. Është duke mbaruar investimi në rrugën e Labovës, që shkon bashkë me restaurimin e Kishës. Ka dalë fondi edhe për rrugën nga Kthesa e Libohovës deri në stallat e Suhës. Brenda pranverës nis investimi për rikualifikimin e qendrës. Libohova ka një potencial të panjohur turistik. Kemi gati projektin për restaurimin dhe ndriçimin e Kalasë së Libohovës. Unë kujtoj kur kam qenë e vogël kur në kalanë e Libohovës zhvilloheshin lojërat popullore dhe sportive, një traditë që tashmë është nostalgjike dhe kjo është një humbje shumë e madhe dhe që ne duhet ta rikthejmë patjetër në Libohovë”, është shprehur Kumbaro.

Në videon më poshtë mund të ndiqni të plotë intervistën e saj.

/Libohova Online/