Intervista/ Mirela Leka Çabeli: Do jem zëri i dropullitëve në Këshillin Bashkiak

tmp_1303-received_1448870912081274-1584702722Ajo nuk kandidon për kryetare të Bashkisë Dropull, por për anëtare të Këshillit Bashkiak të kësaj njësie vendore. Megjithatë ka qenë përditë në fushatë njësoj si të kandidonte për kryebashkiake. Është fjala për Mirela Leka Çabeli, gruaja që kryeson listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak të Dropullit. Në një intervistë për Libohova Online, ajo komenton fushatën për zgjedhjet vendore dhe sfidën e saj të re si nje prej shumë grave e vajzave që garojnë në këto zgjedhje.

Prej vitesh ju keni ngritur një biznes të suksesshëm në Gjirokastër. Çfarë ju shtyn të përfshiheni në politikë?

Po pse jo, të njëjtin model të suksesshëm që kam ndjekur në biznes, ta zbatoj edhe në politikë apo vendimarrje. Në fakt angazhimi im politik është i hershëm, gati një dekadë më parë jam bërë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste në Dropull. Falë aftësive të mia organizative dhe komunikuese arrita të kem edhe rezultate konkrete në PS-në e Vanistrës. Duke qenë shumë e angazhuar me punë dhe në familje nuk kam dashur të jem aktive më herët, por kësaj radhe ma kërkuan bashkëfshatarët e mi dhe jo vetëm. Më inkurajuan edhe shumë gjirokastritë dhe qytetarë nga Tepelena, Përmeti dhe Libohova sepse kam shumë njohje. Dhe në fund vendosa të kontribuoja në vendlindje, në Dropull.

Ju kryesoni listën e kandidatëve të të PS-së për Këshillin Bashkiak të Dropullit. Duke qenë e para e keni të sigurt fitoren, por ju kemi parë të dilni të bëni fushatë. Përse kjo zgjedhje?

Konstatimi juaj është i drejtë sepse ky model është krijuar në Shqipëri, që kandidatët që janë në krye të listave, meqë e kanë të sigurt fitoren nuk dalin fare në fushatë. Por unë udhëhiqem nga të tjera parime dhe bindje. Unë besoj se duhet dëgjuar cdo zë, duhet takuar cdo votues. Vetëm në këtë mënyrë duke i takuar të gjithë mandati jonë është më i plotë dhe ne do e përdorim atë mandat me më shumë përgjegjësi. Për këtë arsye unë s’kam ndalur asnjë ditë të vetme së bëri fushatë. Kam qenë në cdo fshat të Dropullit, në cdo derë dhe në cdo familje.

Sot është dita e fundit e fushatës. Si do ta vlerësonit atë?

Mendoj sa ka qenë një fushatë pozitive. Është për t’u përshëndetur fakti që nuk pati asnjë incident. Ka pasur kohë të mjaftueshme që kandidatët të prezantojnë platformat e tyre dhe të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve. Personalisht jam ndjerë mirë kur gati të gjithë banorët që takoja, e vlerësonin shumë faktin se ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, kësaj radhe nëpër lista kishte shumë gra. Kjo do të thoja ishte një ndër risitë e këtyre zgjedhjeve. Jam ndjerë mirë sepse kam shtrënguar edhe dorë kundërshtaresh politikë, kam marrë mbështeje edhe prej tyre, sepse e kanë kuptuar që Mirela nuk lufton për interesa personale.

Si e shihni rolin tuaj në Këshillin Bashkiak të Dropullit pas 21 qershorit?

Padiskutim që do të luaj një rol aktiv, në respekt të mandatit që më japin qytetarët. Do të parashtroj gjithnjë shqetësimet e dropullitëve dhe do të përdor të gjithë hapësirën që më jep ky mandat, për të mbrojtur interesat e tyre, për marrë gjithnjë vendimet më të mira për këtë zonë. Fakti që këshilli do të jetë i përbërë nga 50% gra e vajza, është një garanci më shumë për transparencë dhe vendime më të drejta. Sepse nga natyra gratë si nëna apo si motra, i bëjnë gjërat me më shumë dashuri dhe janë më të predispozuara për të marrë vendime më të mira jashtë interesave të ngushta.

Si ju është dukur fushata e Zamira Ramit dhe Luiza Mandit?

Ishte fushata e dy zonjave të tjera të respektuara, që garonin si përfaqësuese të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Një fushatë model, me shumë grind dhe pasion për t’i shkruar deri në fund qëllimit dhe jam e bindur se ia ka vlejtur. Pas 21 qershorit, dy nga tre bashkitë e rrethit Gjirokastër do të qeverisen nga gra. Zamira dhe Luiza do të jenë fituese dhe besoj se me mbështetjen e qeverisë do të vënë në jetë të gjitha ato projekte që përmirësojnë jetën e gjirokastritëve dhe libohovitëve. Këto kanë qenë zgjedhje për të zgjedhur gra dhe Luiza me Zamirën jam e bindur që do të marrin besimin e votuesve të dielën.

A keni ju ambicje të tjera sa i përket angazhimit politik, ndoshta të kandidoni pas 4 vitesh për Bashkinë Dropull?

Është shumë herët për të thënë dicka të tillë. Unë jam e fokusuar totalisht te mandati im si këshilltare që pres të marr të dielën dhe përmes atij mandati do të ndikojë për të marrë vendime në të mirë të dropullitëve. Nuk mund të parashikoj cfarë do të ndodhë pas disa vitesh, sikundër nuk mund ta fsheh që kam ambicje për të avancur më tej në angazhimin publik. Por le t’ja lemë kohës gjithcka.

Keni një mesazh për votuesit e Dropullit?

Së pari gjej sërish rastin t’i falenderoj për mikpritjen, për bujarinë dhe gadishmërinë e treguar gjatë këtij muaji të fushatës. Më kanë respektuar, më kanë dëgjuar dhe jam e bindur që mbështetja e tyre do të reflektohet edhe me votë. Së dyti i ftoj të marrin pjesë masivisht në zgjedhje dhe të vendosin për të ardhmen e tyre në këto 4 vite që vijnë. Vota që kanë në dorë është mjeti më i mirë për të sjellë ndryshimin dhe për ta cuar Dropullin në drejtimin e duhur.