Intervista/Mirela Kumbaro: PS ka skuadrën më përfaqësuese në qarkun e Gjirokastrës (VIDEO)

Intervista për televizionin Channel 7

Zonja Kumbaro ju nuk vini nga politika, por nga fusha akademike. Pse u bëtë pjesë e politikës?

Është e vertetë që unë nuk vij nga bota politike në karrieren dhe jetën time personale. Angazhimi im i parë politik është posti i  Ministrit të Kulturës në qeverinë e Edi Ramës në vitin 2013. Por fakti që nuk kam patur angazhim të drejtpërdrejtë aktiv politik nuk do të thotë që unë nuk jam politikisht e angazhuar. Unë besoj që çdo qytetar në momentin që merr vendimin të rrisi fëmijët në këtë vend e ka pjesë të jetës së vet angazhimin politik pa qenë domosdoshmërisht politikan karriere. Që prej momentit kur unë kam qenë pedadoge prej 30 vitesh në universitet, kam qenë pjesë e zbatimit apo e kritikave të politikave arsimore, që nga momenti kur kam vendosur të rris fëmijët e mi në këtë vend, ndjek prej disa dekadash çdo gjë që ndodh në mjedisin ku fëmijët e mi duhet të rriten. Përveç kësaj kam qenë shumë aktive në media, në forumet publike, në rrjetet sociale, në shtyp, në television, në të gjitha debatet ku mendoja se mund të kontribuoja sadopak. Përgjithësisht kam qenë shumë kritike ndaj të gjitha politikave dhe çdo klase politike edhe sepse duhet të pranojmë që Shqipëria ka ende një demokraci të re. Edhe pse flitet për 27 vjet, unë besoj se është më pak sepse vitet ’90  kanë qenë vite vështirësish për Shqipërinë ku ka qenë kaos, anarki, pushteti ra dhe ku ne kemi qenë shumë konfuzë, nuk e dinim ku do të shkonim. E vetmja gjë që dinim dhe e duam ende dhe sot është se donim dhe duam një Shqipëri si gjithë Europa.

Jeni ministrja që nuk u prek nga ndryshimet në qeveri. Çfarë keni bërë mirë dhe çfarë jo në pozicionin e ministres?

Në fakt unë jam i pari ministër Kulture që bën një mandat të plotë prej vitit ’90 deri sot. Unë besoj se përtej asaj që kemi bërë mirë apo jo, ka një gjë karakteristike për këtë qeveri dhe kjo nuk ka të bëjë me personin drejtpërdrejt, por me përzgjedhjen që bëri Edi Rama, që ndryshe nga ministritë e tjera mori për ministrinë e kulturës një person që vinte nga bota e kulturës, bota akademike dhe shoqëria civile si një përfaqësues i drejtpërdrejtë i atij komuniteti, që ministrja e Kulturës do të duhej të administronte. Së dyti, kur Edi Rama kompozoi qeverinë e tij mori dhe një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen, duke e ndarë Ministrinë e Kulturës nga të tjerat, pasi historikisht kjo ministri ka qenë shtojcë duke u përzier me turizmin, sportin, rininë dhe sa më shumë emra shtoheshin aq më pak rëndësi i jepej kulturës, aq më pak buxhet futej dhe ishte si një lloj thesi ku futeshin e nxirreshin gjërat që mbeteshin. Ndërsa Edi Rama, qoftë edhe për shkak të vizionit që ai ka dhe të politikës e programit të PS në 2013 e ndau Ministrinë e Kulturës në një ministri totalisht të dedikuar në dy aspekte të rëndësishme: kultura e arti i gjallë, edukimi përmes kulturës dhe trashëgimia kulturore duke i dhënë rëndësi dhe duke e shkëputur nga politika. Ky ka qenë një vendim i vështirë pasi historikisht kjo ministri ka qenë një vegël edhe për inerci të asaj që kemi trashëguar nga diktatura, ku kultura ishte një instrument ideologjik në duart e partisë. Partitë e tjera të pluralizmit nuk i shpëtuan kësaj inercie duke e përdorur kulturën si pjata ku hahej gjella e politikës së ditës. Është shumë e vështirë që pas 40 vitesh diktaturë, 25 vitesh instrumentalizim të politikës së ditës dhe asaj militantiste të marrësh vendimin dhe ta shkëputësh kulturën e të bësh politika kulturore që nuk kanë lidhje me partinë.  Edhe pse e vështirë unë besoj se pas katër vitesh ne ia kemi dalë. Përveç arritjeve të tjera unë besoj se kjo ka qenë një ndër arsyet pse Ministria e Kulturës në këto katër vite nuk u prek nga negociatat e mirëfillta politike mes partive. Ministria e Kulturës dhe stafi i saj ka dhënë mjaftueshëm prova që nuk ka qenë në shërbim të politikës, që jep garanci për të respektuar ligjin, që edhe Shqipëria është e emancipuar dhe liderët politikë kanë filluar ta kuptojnë që kulturën nuk duhet ta kenë instrument të politikës sepse i bëjnë një dëm të madh shoqërisë dhe këtu meritën kryesore e ka Edi Rama që e ndërtoi këtë filozofi.

Çfarë nuk keni bërë mire në këto vite?

Në fakt do të them pakënaqësite për ato që nuk arritëm të bëjmë dot.  Viti i parë ka qenë shumë i vështirë dhe shumë kohë e humbur sepse gjetëm një borxh shumë të madh financiar, një kaos ligjor, mungesë rregulloresh, mungesë inventari. Nuk gjetëm model, nuk gjetëm sistem, nuk gjetëm pista ose linja programi të cilat do të duhej vetëm t’i vazhdonim e pasuronim. Na u desh që shumë gjëra t’i nisnim nga zero. Psh, për Gjirokastrën nuk kemi gjetur një inventar të përditësuar të monumenteve të kulturës, inventari i fundit daton në mes të viteve ’80.

Jeni akuzuar se keni hequr nga lista disa monumente…

Kjo është një akuzë qesharake dhe fëminore e atyre që nuk gjejnë dot asgjë për të akuzuar realisht dhe kapen pas shifrave dhe shkaktojnë tymnajë në publik. Ne kemi bërë në bazë të planit të PS, një inventar fizik për herë të parë në të gjithë territorin të monumenteve të kulturës. Për çudi pamë se gjatë 25 viteve kishte objekte që ekzistonin në listë, por jo në terren. 132 objekte ishin inekzistente, mbi 300 objekte ishin krejtësisht të shkatërruara, pa folur për 600 të tjera në gjendje shumë të rëndë ku prej 20 vitesh askush nuk kish vënë dorë. Në Gjirokastër kemi rastin e kishës së Peshkëpisë në Dropull ku pema kish mbirë brenda në kishë dhe kishte çarë çatinë, dhe pema nuk mbin brenda një dite, por do 20 vjet.  Dhe të tilla raste nuk janë të pakta. Monumentet e Kulturës kur i lë të rrënohen për më shumë se tre dekada kthehen në spital me të sëmurë që nëse nuk i shëron dot, të paktën duhet t’i ndjekësh. Si çdo shtëpi, nëse nuk mban çatinë, nuk zë pikat, nuk mban muret, ajo vjen një ditë e bie. Ne kemi sot rreth 2000 objekte monumente kulture. Në Gjirokastër në vitin  ’74  ka pasur një rregullore e cila bënte një përcaktim të qendrës historike, e përcaktuar nga profesorët e kohës së IMK ku përfshihej dhe prof Emin Riza. Në atë rregullore përcaktoheshin 71 objekte monuemt kulture të kategorisë së parë dhe gjithçka tjetër brenda qendrës historike kategori e dytë. Por ligji për trashëgiminë thotë se për çdo object, qoftë i kategorisë së parë, qoftë i kategorisë së dytë, duhet një vendim i personalizuar ministri që përcakton se ky objekt shpallet monument culture i kategorisë së dytë  dhe ky është ligji i vitit 2003 i amenduar në 2008 për objektet e trashëgimisë kulturore, dhe çdo objekt duhet të pajiset me kartelën e vet. Kjo mundëson edhe përditësimin e inventarit. Ky fenomen nuk kish ndodhur ndonjëherë. Kur 15 vjet më parë Gjirokastra u fut në UNESCO, hyri me këtë lloj inventari të rregulores së vitit ‘74. Misioni i inspketimit i UNESKO-s në vitin 2012 konstatoi dëme shumë të mëdha në qendrën historike sepse në 15 vitet e fundit Gjirokastra jo vetëm u betonua, por në qendrën historike ka patur ndërtime pa kritere, pa ekspertizë e madje dhe pa miratimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimit. Në 2012 ranë alarmet më të mëdha të UNESCO dhe me të drejtë na kërcënuan që Gjirokastra, qendër kulturore e trashëgimisë botërore do të hyjë në listën e zezë sepse shteti shqiptar nuk po merr përsipër përgjegjësitë e mirëmbajtjes së tij, që është detyrë drejtpërdrejtë e shtetit, sepse UNESCO nuk jep para për mirëmbajtjen, por të kontrollon nëse vazhdon ta meritosh emrin në atë listë apo jo.  Shteti shqiptar jo vetëm nuk përmbyshi detyrimet, por në 2013 shkëputi çdo marrëdhënie duke mos dhënë as përgjigjet më minimale për raportet e detyrueshme të qeverisë shqiptare çdo 6 muaj për gjendjen e monumenteve në tre sitet e saj të trashëgimisë botërore. Sapo u emërova në gusht të 2013 jam bombarduar nga email-et dhe letrat që prej gati një viti UNESCO i dërgonte Ministrisë së Kulturës dhe nuk merrte asnjë përgjigje, qoftë për të thënë “Faleminderit”. Kjo ishte arsyeja pse në tetor 2013 vendosëm moratoriumin për të pezulluar çdolloj ndërtimi pa leje në zonat e trashëgimisë botërore që të fusnim territorin në kontroll. Kjo ka qenë arsyeja pse e nisëm urgjentisht këtë inventar dhe kur iu rikthyem rekomandimeve të UNESCO pamë që në 12 nëntor të  2012 misioni i UNESCO thoshte se në qendrën historike të Gjirokastrës ka shumë objekte me ndërhyrje që kanë prishur karakteristikat e lagjes, objektit, ndaj ishte e detyrueshme dhe UNESCO rekomandonte të bënim një inventar të personalizuar për të ndarë saktësisht monumentet e kategorisë së parë dhe të dytë si dhe për të përcaktuar mbrojtjen e objekteve në qendrën historike. Në bërjen e inventarit në gjithë Shqipërinë nxorëm ato objekte që kanë vërtet karakteristika të tilla që përputhen me kategorinë e dytë, me vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimit ku prof. Emin Riza, të cilin e keqpërdorin sot duke abuzuar edhe me mungesën e kujtesës së tij, ka qenë anëtar dhe ka firmosur se cilat ishin objektet. Sot kemi një listë të plotë të monumenteve duke theksuar që çdo objekt tjetër brenda qendrës historike është i mbrojtur me statusin qendër historike. Sot kemi një profilizim më të mirë të objekteve që na lejon të kuptojmë se cila është shkalla e ndërhyrjes së mirëmbajtjes së secilit objekt. Godina e bashkisë Gjirokastër që është një godinë e viteve ’60  ka pësuar shumë ndërhyrje dhe nuk është një banesë me vlera si shtëpitë e Zekatëve apo Skëndulatëve. Në vetvete ai objekt nuk është monument i ndonjë kategorie të caktuar, por është automatikisht i mbrojtur sepse ndodhet brenda qendrës historike dhe çdo ndërhyrje në të shihet në detaje nga Ministria e Kulturës dhe miratohet nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit.

Megjithatë ka mjaft shtëpi gjirokastrite ende në rrezik. Por një tjetër shqetësim është fakti që nuk janë mjeshtrat gjirokastritë ata që rregullojnë shtëpitë gjirokastrite edhe atëherë kur sigurohen fondet.

Edhe kjo është pjesë e tymnajës që hidhet. Atë që nuk është bërë për 25 vite ne nuk mund ta bëjmë për 44 muaj. Por sidoqoftë është bërë për Gjirokastrën në këta muaj sa asnjëherë më parë. Vetëm në Qafën e Pazarit po investojmë 2 milionë euro për restaurimin, ndërkohë që në gjithë bashkinë e re Gjirokastër ku përfshihet Dropulli, Libohova Ministria e Kulturës nga 2005 – 2013 duke përfshirë trashëgiminë kulturore, art, kulturë, sport, turizëm,  dy qeveritë e Partisë Demokratike kanë investuar vetëm 1.5 milion euro. Pa diskutim që Gjirokastra dhe arkitektura e saj janë kaq të veçanta sa kanë nevojë për shpirtin  gjirokastrit, mirëpo ustallarët e mjeshtrat që e kanë mbajtur gjallë në shekuj nuk u kujdes njeri t’i mirëmbante dhe këtu nuk flas për gurët, por për atë që quhet “dijebërie”. Gjatë inspektimeve të para në 2013 në drejtoritë rajonale të monumenteve në të gjithë Shqipërinë kam gjetur deri edhe veterinerë të punësuar në drejtori, kam gjetur drejtorë që nuk kishin levizur nga zyra, përfshirë këtu edhe ish – drejtorin e Gjirokastrës që nuk kish shkuar ndonjëherë në Përmet edhe pse e kish në territorin e vet. Më  mirë i dija unë që sapo kisha filluar t’i vizitoja monumentet e kulturës sesa ish – drejtori. Kjo sepse ishin drejtorë politikë që merreshin me qoka nga Shkodra në Sarandë. Kur kultura u instrumentalizua nga politika qëllimi ishte që të futeshin njerëz për qoka militantësh, jo të kujdeseshin për urën apo kishën dhe traditën. Gjithashtu nuk pati nga shteti politika të shkollimit dhe arsimit profesional sepse mjeshtrat e trashëgojnë brenda familjes ose është shteti që kujdeset për shkolla profesionale që të përcillet ky zanat. Kjo gjë nuk ndodhi e si pasojë ne humbëm mjeshtrat, të rinjtë nuk dinin. Sot vazhdojmë të mbajmë ustallarë që kanë mbushur moshën e pensionit se është vështirë të zëvendësohen dhe në drejtorinë rajonale kam patur vende bosh, por kur u kërkon ustallarëve gjirokastritë të vijnë e të punojnë me orar të plotë, kjo sigurisht që nuk tërheq. Më  vjen mirë që tani falë energjisë që kemi injektuar në qytet, nga mirëmbajtja që po bëhet, ka njerëz që afrohen. Kompania që aktualisht po punon në qendrën historike është ende në kërkim të mjeshtrave të drurit. Ata që janë në qytet janë të gjithë të angazauar sepse është një mjeshtëri që jo çdo njeri e ka. Për të parën herë kemi hapur një master të restaurimit me fakultetin e arkitekturës  në Korçë. Vitin e parë 2016 -2017 kemi patur 40 studentë të regjistruar. Kjo është një garanci që dashuria dhe përkujdesi për trashëgiminë po rikthehet edhe në mënyrë profesionale. Ministria e Kulturës, IMK dhe Fondacioni shqiptaro – amerikan që është edhe investitori kryesor i investimit që po bëhet në Qafën e Pazarit bashkë me organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij prej 3 – 4 vitesh po organizojnë kampuset e restaurimit me të rinj nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, por edhe Kosova e Maqedonia që kanë të njëjtën traditë të përpunimit të gurit apo hekurit dhe këto kampe zhvillohen në qytet si mënyra më e mirë e ruajtjes së traditës në restaurim, mirëmbajtjes së objekteve dhe një shërbim i drejtpërdrejtë ndaj qytetarit që falas ne i mirëmbajmë objektin. Kjo traditë është intensifikuar  gjatë këtyre katër viteve dhe më jep shpresë e besim që mjeshtëria që po humbiste, po rikthehet si pasion, dashuri, por edhe interes ekonomik që tregu e kërkon gjithmonë e më shumë. Duke qenë se kemi hapur kantiere ndërtimi në gjithë Shqipërinë, Gjirokastër, Korçë, Berat, Krujë, Shkodër, fillojmë në Vlorë, Perëmet, restaurimi  i dy fshatrave në Dhërmi e Vuno. Investimet janë shtuar kaq shumë në mirëmbajtjen e trashgimisë kulturore saqë tregu po bëhet interesant. Ka gjithmonë e më shumë kërkesa për të rinj që duan të futen në këto kampe për ta mësuar zanatin. Tashmë ka një ndërgjegjësim shumë të rëndësishëm të biznesit. Në ministri kemi Këshillin Kombëtar Të Arkeologjisë dhe atë të Restaurimit, dy këshilla që bëjnë mbledhje maratonë dhe kalojnë në filtër të detajuar çdo projekt ndërhyrjeje që nga rregullimi i një çatie të një gjirokastriti në shtëpinë e vet, që nga gjithë projektet e hoteleve që për fat të mirë në tre vitet e e fundit janë shtuar në mënyrë të jashtëzakonshme, ku nga 1-2 hotele sot kemi 20 projekte të zhvilluara apo në zhvillim e sipër. Ky është modeli i rijetëzimit të një qendre historike sepse në momentin që një banesë e vjetër kthehet në hotel jo vetëm është burim ekonomie, por edhe mirëmban objektin, trashëgiminë kulturore. Unë jam e bindur qe brenda 5 viteve të ardhshme Gjirokastra do të ketë turizëm 365 ditët e vitit se Gjirokastra dhe përreth ofron një potencial turistik të vetëmjaftueshëm jo vetëm për ekonominë e Gjirokastrës, por edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë.

A ka një vizion Mirela Kumbaro përsa i përket artit në Gjirokastër?

Në vizionin e PS, programit tonë, në vizionin e Ministrisë së Kulturës që unë drejtoj prej katër vitesh dhe vizionin tim personal si gjirokastrite dhe njeri i kulturës mendoj se Gjirokastra ka një shans të jashtëzakonshëm që është një muze i hapur dhe një skenë e gjallë natyrore. Kjo ka qenë arsyeja pse në Gjirokastër që në vitin 2014 kemi zhvilluar evente të shumta kulturore gjatë gjithë vitit, që kulmohen me festivale, sepse festivalet e kthejnë Gjirokastrën në një skenë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne bëmë një provë të suksesshme që i solli Gjirokastrës zhvillim ekonomik dhe që ishte Fetivali Folklorik Kombëtar në maj 2015 ku për 7 ditë e net Gjirokastra u kthye në një mulitskenë me aktivitete për çdo grupmoshë. Rreth 10 mijë turistë kanë vizituar qytetin në këtë kohë. Para këtij festivali organizuam Traku Fest dhe pamë sesi të gjithë sokaqet  gjirokastrite u kthyen në skena. Gjirokastra është bërë skenë e festivaleve të filmit, të ekspozitave të ndryshme, të poezisë dhe publiku gjirokastrit e ka mirëpritur dhe ka qenë pjesë aktive. Shembulli më i mirë ka qenë aktiviteti për 80 vjetorin e Kadaresë ku u lexuan veprat e tij në cdo sokak e shtëpi karakteristike. Këtu mori shkas ideja  e krijimit të shtëpive të shkrimtarëve. Ne kemi identifikuar rreth 20 shtëpi përfshirë edhe atë të Musine Kokalarit , rindërtimi i së cilës fillon shumë shpejt,  ku të jenë jo vetëm qendra kulturore, por edhe bujtina apo hotele. Në Francë shtëpi të tilla si e Balzakut apo edhe të shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj janë jo  vetëm muze, por edhe restorante e  bujtina si një mënyrë shumë e mirë për të prodhuar ekonomi përmes kulturës. Kjo nuk është e lehtë për t’u bërë sepse kërkon bashkëpunim të pronarëve që deri sot kanë qenë në gjendje pasive pasi presin që shteti të investojë për shkak edhe të kostos së shtrenjtë të restaurimit. Por problemi më  i madh në Gjirokastër është ai i pronarëve. Ka shtëpi në Gjirokastër me 80 pronarë të shpërndarë nëpër botë. Ekuilibri midis ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe respektimi i të drejtës së pronës private është shumë i brishtë. Kjo kërkon një kuadër të ri ligjor. Projektligji i trashëgimisë kulturore për shkak të këtyre prioriteteve që partitë ia dhanë politikës dhe jo cultures, ai projektligj që rregullon edhe këtë marrëdhënie duke bërë lehtësira fiskale, por edhe motivon pronarët apo biznesin të investojnë, është gati për t’u aprovuar në legjislacionin e ardhshëm.  “Koncert në gur” ka qenë një tjetër aktivitet i organizuar për 15 vjetorin e Gjirokastrës në UNESKO dhe që mblodhi në kalanë e Gjirokastrës të rinj e të reja nga gjithë Shqipëria. Do të rikthehet sërish ky koncert në 15 korrik. Gjirokastrta është arena e aktivitettve për fëmijë. Para dy javësh u organizua Festivali Kombëtar Argjiro Fest On Junior 2017 dhe këtë eksperiencë e kemi bërë në Korçë. Kjo është një mënyrë promovimi pas një investimi tepër të madh që kemi bërë, sepse promovimi sjell turizëm. Në 2013 kalaja e Gjirokastrës ka arkëtuar 6900 vizitorë, në 2016  kemi 61 mijë e 200 vizitorë dhe këta vizitorë kanë ardhur falë një promovimi ndërkombëtar falë kulturës, artit, spektakleve, festivaleve që për tre vite janë bërë në Gjirokastër. Gjirokastra sot është në të gjitha kalendaret e agjensive turistike. Shqipëria ka hyrë tashmë në itinerarin e kroçereve të mëdha të cilat zbarkojnë në Sarandë dhe Gjirokastra është pjesë e programit të tyre.  Këto festivale përkundër të gjitha akuzave qesharake që bëhen, nuk janë fasadë, por janë ekonomi.

Qytete si Tepelena dhe Memaliaj pavarësisht ndryshimeve në infrastrukturë njihen si qytete që marrin ushqimet me listë për shkak të papunësisë së lartë.

Varfëria dhe papunësia nuk janë fenomene që ndodhin në një ditë apo një vit. Në 25 vite gjithë qarku i Gjirokastrës ka qenë i harruar. Memaliaj, si një qytet i ndërtuar për minatorët, u boshatis pasi pas ’90 –ës humbi arsyeja kryesore e ekzistencës së qytetit. Për asnjë moment nuk pati një politikë që qytetit t’I jepte një arsye tjetër për të jetuar. Dhe kjo nuk ndodhi vetëm në Tepelenë e Memaliaj. Ky është një fenomen mbarëkombëtar që origjinën e ka te mungesa e vizionit për zhvillim e për t’u dhënë arsye njerëzve të jetojnë e të zhvillohen jo vetëm duke pritur nga puna e shtetit apo partia se shteti nuk është një tullumbace që fryn vendet e punës sa herë vinë fushatat e për të blerë votat. Ky është poshtërim i individit dhe blerje e dinjitetit që për fat të keq ka ndodhur rëndom. Ajo që ne bëmë me progamin e rilindjes urbane ishte ndërhyrja në këto qytete jo thjesht për të rregulluar fasadat, por për të dhënë arsye e energji banorëve të qytetit jo vetëm për të qëndruar, investuar e rikthyer, por edhe për të tërhequr vizitorë të tjerë. Tepelena sot është e pakrahasueshme me Tepelenën e katër viteve më parë për shkak të investimit në shkolla, në rrugë, në qendër dhe ku gjithë bizneset që nuk motivoheshin tashmë kanë përballë modelin estetik urban europian i cili rimerr dritë duke rikthyer vlerat e dikurshme për t’I kthyer në dritë të së sotmes dhe motiv për të ardhmen. Në 25 vite kalaja e Tepelenës u mbyt nga ndërtimet pa leje pasi nuk kishte asnjë investim, asnjë planifikim territori dhe sot ne duhet të administrojmë njëkohësisht braktisjen e qyteteve, mungesën e vizionit, shkatërrimin e territorit të ndërtimeve pa leje dhe të dëmshme të cilat sot prodhojnë një situatë të vështirë që e kemi futur në kontroll. Duke bërë këto investime sot, injektojmë energji dhe arsye për të investuar. Kjo nuk ndodh në 44 muaj, por kërkon patjetër një mandat të dytë për të rikthyer energji në to. Na duhet sidomos të futim një edukatë të re për punën. Problem tjetër i madh janë edhe diplomat false dhe këta të rinj të cilët sot gjenden të papunë krahas edhe atyre që kanë marrë një diplomë të rregullt pasi numri i punëkërkuesve është shumë i lartë dhe nuk mund të punësohen të gjithë në shtet, por fare mirë mund të punojnë si guida turistike, të hapin një biznes të vogël operatori turistik, pra inisiativa që kërkojnë energji. Kam takuar shumë të rinj me diploma që presin të punësohen në shtet falë edhe premtimeve që u ka bërë politika. Por nuk bën dot asnjë deputet premtime për vende pune sepse është qeveria dhe programi i saj i zhvillimit që premton model zhvillimi brenda të cilit mund të gjendet puna. Këta të rinj nuk drejtohen as në zyrat e punës. Gjirokastra ka një ndër zyrat më model dhe që funksionon më mirë se shumë të tjera dhe që nuk pret t’I shkojnë të rinjtë aty, por shkon zyra e punës tek të rinjtë. Unë vetë bashkë me drejtorin kam takuar shumë të rinj pikërisht për të shpërndarë informacionin derë më derë sepse zyra e punës nuk ofron vetëm një regjistër, por të pyet për  interesat, të ofron kurse, çertifikatë e zanat të paguara nga shteti. Ky është modeli ynë i ri, por duke qenë se ka vetëm tre vjet që funksionon, e ka të vështirë të zëjë territor krahasuar me ç’edukimin që është bërë në 25 vite. Prandaj jemi të bindur që në mandatin e dytë, PS me programet që ka në investim, zhvillim ekonomik, nxitje të biznesit do të krijojë punësim jo si qoka personale.

Duke qenë se keni prekur tashmë të gjithë zonën, çfarë ju kanë kërkuar banorët?

Qarku i Gjirokastrës ka fshatra të jashtëzakonshëm, me njerëz të kulturuar që të mirëpresin edhe pse gjithë ditën merren me punë të rënda. E ndjej veten me shumë fat që jam kandidate ne këtë qark, sepse punoj me njerëz të jashtëzakonshëm që nga Vërçishti, fshati më i largët i këtij qarku, deri në Sotir të Dropullit. Ende sot këta banorë kërkojnë gjëra bazike, ujë, drita, rrugë. Sot unë jam krenare dhe shkoj ballëhapur në ato fshatra, së pari duke kërkuar ndjesë, ndonëse as unë, as Edi Rama nuk kemi drejtpërdrejt përgjegjësi për 25 vitet e bëra vetëm me premtime dhe po kështu shkoj me një program të qartë. Dropulli psh, kërkon vetëm tension energjie 220 volt që të mund të ndezë frigoriferin. Ma shpjegoni dot si ka mundësi që në 25 vite, Dropulli,një nga zonat më të  bukura, me njerëzit më punëtorë që prodhojnë ekonomi, me biznese të fuqishme që mbajnë gjithë Shqipërinë dhe që detyrohen të bëjnë investime personale dhe janë taksapaguesit më të shkëlqyer që kemi, modeli i biznesit që ne duam, në 25 vjet shteti nuk i ofron minimumi tensionin? Për herë të parë filluam një investim 800 milion lekë si një interesim i drejtpërdrejtë i kryeministrit Rama, për linjën e re në Dropull.

Ky është në fakt një investim që pretendohet të jetë iniciativë personale edhe nga deputeti i LSI?

Deputetët kanë qenë këtu prej 25 vitesh, mund ta kishin bërë edhe më parë. Deputetet paraqesin interesat e zonës, por investimet i bën qeveria dhe vendimet i merr kryeministri. Investimi është i drejtpërdrejtë i OSHEE-së dhe interesim i kryeministrit për arsyen e thjeshtë se sot kemi një qeveri me një kryeministër si Edi Rama që Rilindjen Urbane e ka program të drejtpërdrejtë të qeverisë së vet dhe PS. Është model i nisur në Tiranë në kohën kur ka qenë Kryetar Bashkie dhe  që po vazhdon me shumë sukses nga Erion Veliaj.

Deputeti Tavo nga kjo studio ju ka cilësuar si ju, deputetët e listës së PS dhe ata të PD, deputetë turistë, për faktin se çdo herë Gjirokastra ka deputetë të rinj, ndërsa Tavo është i vetmi deputet në Shqipëri që kërkon mandatin e shtatë. A jeni deputetë turistë?

Kjo është  kur s’ke çi bën gomarit,I bie samarit. Deputeti ka detyrë të përfaqësojë interesat e komunitetit, por jo të disa individëve dhe të zgjidhë hallet personale. Detyra më e rëndësishme e deputetit është të sjellë në zonë zhvillim, të kontribuojë për të ndërtuar modele zhvillimi dhe është vlerë e shtuar nëse deputeti ka lidhje personale, shpirtërore, historike me zonën. Lista që ka sot PS është pa dyshim lista më e suksesshme që kemi patur ndonjëherë në Qarkun e Gjirokastrës ku secili nga të shtatë kandidatët e ka këtë lidhje shpirtërore. Unë jam libohovite dhe gjirokastrite nga familje me kontribut të jashtëzakonshëm.  Nëna ime është mbesa e Elmaz Boce, delegat i Gjirokastrës në shpalljen e Pavarësisë, themelues i shkollës së parë shqipe ne Gjirokastër, i shoqërisë së parë teatrale në Gjirokastër, po kështu edhe nga babai. Unë këto nuk i marr për merita, por përgjegjësi dhe detyrë që emrin e tyre ta nderoj. Detyra ime kryesore është që të vazhdoj projektet që më bënë të punoj në këtë qark më shumë se në cdo qark  tjetër për shkak të karakteristikave që ka, pasi është një nga hambarët e trashëgimisë kulturore dhe ministria që kam drejtuar ka patur këtë detyrë, unë kam qenë prezent jo si deputete, por si minsitre. Gjirokastra dhe Përmeti janë sot pjesë e programit të BB prej 71 milion dollarë që qeveria shqiptare firmosi me BB dhe një ndër nxitësit e këtij programi ka qenë deputeti Arben Ahmetaj si ministër i I financave dhe si ish – deputet i këtij qarku, ai ka mbështetur cdo projekt investimi në Gjirokastër. Të jesh deputet i Gjirokastrës nuk do të thotë të rrish fizikisht në Gjirokastër dhe të ngresh telefonin, por të ndërtosh projekte zhvillimi për të gjithë dhe jo vetëm për anëtarët e partisë tënde. Bledi Çuçi, përmetar, një jurist i jashtëzakonshëm që ka bërë për Gjirokastrën atë që nuk e kanë bërë shumë të tjerë, ka luftuar që Dropulli të jetë bashki më vete. Ky është produkt direkt dhe kontribut direkt për të gjithë dropullitët. Përmeti gjithashtu është pjesë e investimit të BB. Jam shumë krenare që si pjesë e qeverisë shqiptare arritëm ta bindnim BB që për të parën herë të investojë për trashëgiminë kulturore dhe të fusi Përmetin që nuk e njihte njeri dhe askush nuk e dinte që ka qendër historike. Kjo është mënyra se si e shoh unë rolin e deputetit, pa folur për Laert Duraj, biznesmen, ekonomist i shkëlqyer dhe i suksesshëm jo vetëm në ekonomi, por edhe në arsimin profesional,  po kështu edhe kandidatet e tjera femra të listës sonë. Nuk di si mund të na quash ne deputetë turistë, këta njerëz që jetojnë këtu, kanë rrënjët në këto zona dhe janë si  nga pikëpamja kulturore dhe nga formimi, në radhë të parë njerëz që e kanë ndërtuar jetën vetë dhe në profesionin e tyre kanë treguar që janë të zotë. Flamur Golemin jo vetëm e njohin të gjithë, por e adhurojnë si mjek dhe si njeri. Kush mund të japë më shumë se ai për Gjirokastrën? Unë besoj se kemi skuadrën më përfaqësuese.

Keni deklaruar fitoren 5 me 0. Nëse i referohemi shifrave të 2013 pjesëmarrja ishte 52 %, në zgjedhjet lokale ka rënie të kësaj shifre 48 %, ndërkohë që ka një pjesë të mirë të njerëzve që pohojnë se nuk shkojnë në votime. PS ka marrë 25 mijë e 148 vota në 2013 dhe lufta bëhet për mandatin e  tretë. Por si një qark me shumë emigracion, si e shikoni pjesëmarrjen në 25 qershor?

Ju gjykoni mbi shifra, por unë jam në kontakt me njerëzit dhe jo vetëm në qark, por edhe në Greqi. Të dhënat e mia flasin për rritje të interesit të votuesve emigrantë për të ardhur dhe për të votuar sepse ka një rritje të besimit. Unë i besoj shumë më tepër sesa llogaritjes së shifrave të 2013, kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit qoftë me familjarët e emigrantëve dhe qe më shprehin mbështetjen e tyre se do të vijnë të votojnë, qoftë edhe me vetë emigrantët. Një prej këtyre emigrantëve në Janinë më tha se kur vinte më parë në Shqipëri përgatiste një pako me 200 lekësh në xhep që t’ua shpërndante policëve që i dilnin para gjatë rrugës. “Herën e fundit që isha në Shqipëri, nuk kam harxhuar asnjë lekë – më tha ai- sepse jo vetëm nuk më ndaloi njeri si dikur, por kam ngelur pa fjalë nga korrektesa e policëve”. Ky është një  ilustrim i thjeshtë njerëzor i reformës në polici e cila është e pamjaftueshme nëse nuk ndiqet nga reforma në drejtësi. Ne e kemi dhënë provën se si luftojmë për të arritur një objektiv për të gjithë shqiptarët. Kjo është  provë e garanci për të gjithë emigrantët që kanë nevojë të rikthehen në një vend ku ka siguri. Për herë të parë ne ndërtuam themelin e modelit që duam, për Shqipërinë që duam.

Përse PS e kërkon timonin e vetme?

Ne kemi treguar se jemi në gjendje të bëjmë një marrëveshje për t’u dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë në votime. Ishim të gatshëm të negocionim gjithçka përveç shtyrjes së afatit të zgjedhjeve dhe vetingut. Kjo ishte një provë se ne nuk e marrim qeverinë për të bërë ç’të duam, por për të bërë programe zhvillimi dhe nuk na shqetëson fakti që disa ministri po drejtohen nga PD. Ne po emancipojmë Shqipërinë si asnjëherë tjetër me një fushatë modeste dhe të qytetëruar.

Sa është rezultati i këtyre zgjedhjeve sipas jush?

5 me 0!

A do të ketë vetting në bazë?

Reforma në drejtësi duhet të vijë nga gjykatësi më i thjeshtë deri tek Gjykata Kushtetuese. Unë nuk them që 100 % e gjykatësve janë të korruptuar, por sistemi është i tillë. Sistemi i vettingut propozon këtë gjë. PS ka treguar se njerëzit me probleme i ka nxjerrë jashtë nga gjiri i vet. Ne kërkojmë vetting për të pastruar partitë, por para së gjithash sitemin e drejtësisë.