Investim 40 milionë lekë, Fakulteti Ekonomik në Gjirokastër me ‘shtëpi’ të re

Universiteti ‘Eqrem Cabej’ në Gjirokastër do të zgjerojë hapësirat akomoduese për studentët. Rreth 40 milionë lekë do të investohen në godinën e ku ka qenë ish shtëpia e ushtarakëve, për të krijuar klasa, auditorë dhe zyra për Fakultetin Ekonomik.

Lajmi konfirmohet nga administratori i universitetit, Genti Llogo. Duke folur për Televizionin Gjirokastra, Llogo tha se vendimi është marrë nga bordi i administrimit dhe senati akademik. Sipas tij do të rikonstruktohen dy katet e kësaj godine.

Aktualisht tha Llogo po punohet për t’i dhënë dorën e fundit projektit, ndërsa punimet janë parashikuar të nisin gjatë kësaj vere. ‘Shtëpia’ e re e Fakultetit Ekonomik pritet të jetë gati gjatë vitit akademik 2019-2020. Ky investim është parashikuar të kryhet nga të ardhurat e vetë universitetit.