Jorgo Malita “Qytetar Nderi” i Libohovës, propozimi shkon në Këshillin Bashkiak

Keshilli Bashkiak i LibohovesPrej gati një muaj në Bashkinë e Libohovës ka mbërritur një propozim për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” Profesor Jorgo Malitës.

Nismëtarë të këtij propozimi janë disa libohovitë anëtarë të shoqatës kulturore “Avni Rustemi”, si dhe ata që e kanë njohur nga afër Malitën.

Pritet që ky propozim të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.

Por kush është Jorgo Malita? Ai u lind në Libohovë në vitin 1939 në një familje përparimtare, por ekonomikisht të dobët. Jorgo Malita mbeti jetim që në moshën 1-vjeçare pasi i ati i tij vdiq në kampet e përqëndrimit në Itali.

Sidoqoftë në sajë të përkujdesjes së familjes dhe përkushtimit në shkollë ai arriti të diplomohej shkëlqyeshëm për Matematikë në vitin 1961.

Kjo bëri që të niste punë si pedagog në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1970 Malita botoi librin “Analiza Matematike”, një tekst bazik për të gjithë studentët e asaj kohe. Në vitin 1979 ai mori gradën shkencore “Profesor” dhe për rreth 40 vite ishte një nga matematicienët më të spikatur në vend. Jorgo Malita u nda nga jeta në 11 gusht 2014.