Kakavija, “porta” e pushimeve verore për emigrantët

 Kakavija, “porta” e pushimeve verore për emigrantët

Kufiri-i-KakaviseMe qindra automjete dhe emigrantë vazhdojnë të hyjnë këto ditë pushimesh verore në tokën shqiptare nëpërmjet doganës së Kakavijës. Dogana më e madhe e Jugut, vazhdon të përballojë një fluks të rënduar lëvizjesh në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek. Vetëm gjatë tri ditëve të fundit kanë kaluar traun e Kakavijës shqiptare për të udhëtuar më pas në drejtim të vendlindjes, rreth 20 mijë emigrantë, ndërkohë që prej datës 1 korrik kjo shifër shënon 145 mijë emigrantë, ndër më të lartat këto vitet e fundit.

 Karvani i automjeteve

Është ora 12.00 e së enjtes dhe karvani i autobusëve dhe automjeteve private që kalojnë doganën greke për të hyrë me pas në sportelet e kontrollit të Kakavijë shqiptare duket se nuk ka të mbaruar. Prej fillimit të kësaj jave, në doganën e Kakavijës është shënuar një ndër flukset më të larta të lëvizjes gjatë viteve të fundit. “Vetëm mëngjesin e së mërkurës në sportelet tona të kontrollit janë përpunuar dokumentet për rreth 6 mijë këmbësore”,- pohojnë përfaqësuesit e policisë në Stacionin Kufitar të Kakavijës. Vazhdimisht në këto ditë pushimesh doganat shqiptare dhe greke i lidh një vargan i gjatë makinash, siluetat e së cilave shkëlqejnë nën diellin e gushtit. Gjatë orëve të para të së enjtes kanë hyrë në tokën shqiptare rreth 1 100 automjete. Në një takim të zhvilluar përpara disa vitesh në doganën e Kakavijës, një zyrtar i lartë grek duke parë fluksin e madh të automjeteve të emigrantëve që udhëtonin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë do ti deklaronte homologut të tij shqiptar: “Ju jeni me të vërtet një popull vital dhe punëtor. Para 20 vitesh erdhët ne Greqi nga mali, me trasta më bukë dhe djathë dhe tani ktheheni në vendlindje me automjetet tuaja private”. Duket se kjo thënie e zyrtarit grek po vërtetohet më së miri gjatë kësaj vere me lëvizjen e rënduar të trafikut të automjeteve dhe emigrantëve në Kakavijën shqiptare. “Vetëm gjatë ditë ve të para të gushtit kemi përpunuar rreth 60 autobusë të linjave shqiptare dhe greke të transporti të udhëtarëve”,- pohojnë drejtuesit e policisë në Kakavijë. Aktualisht, dogana shqiptare dhe greke punojnë me një numër të rritur sportelesh. Në pjesën shqiptare numërohen 6 sportele për kontrollin e dokumenteve madje për të shmangur radhët e gjata në sportelet e hyrjes në Shqipëri edhe korsitë e daljes në drejtim të tokës greke vihen në shërbim të automjeteve të emigrantëve. Sipas drejtuesve të policisë së Kakavijës “gjatë kontakteve që ata kanë zhvilluar me drejtues të policisë greke kanë marrë konfirmimin se do të punohet për shmangien e radhëve të gjata dhe orëve të pritjes”. Megjithatë si shkak i fluksit të rënduar të lëvizjes dhe numrit të madh të automjeteve private shpesh emigrantëve i është dashur të presin për gati tri orë gjatë përpunimit të dokumenteve në doganën greke, si shkak i defekteve ne sistemin kompjuterik.

Pjesë e lëvizjes së lirë

Shqipëria dhe vendlindja vazhdojnë të tërheqin çdo vit e më shumë më dhjetëra emigrantë për t’i kaluar pushimet e verore pranë familjarëve dhe miqve të tyre. Nga bisedat që zhvillon me emigrantët e porsambritur në Kakavijë konstaton se ardhjet në Shqipëri nga viti në vit po bëhen gjithmonë e më të shpeshta. Falë lejeqëndrimeve dhe dokumenteve të rregullta, emigrantët shqiptarë po bëhen çdo ditë e më shumë pjesë e lëvizjes së lirë në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek. Gjatë këtyre ditëve porta e që lidh doganën greke me atë shqiptare qëndron vazhdimisht e hapur çka bën që në hapësirën mes dy doganave të lëvizin lirshme këmbësorët. “Kam lënë bashkëshortin me makinë në doganën greke për të përpunuar dokumentet dhe mendova që këto pak metra rrugë ti bëj me këmbë”, thotë një emigrante me fëmijën në duar duke hyrë në tokën shqiptare

Emigrantë edhe nga Italia

Dhe gjatë këtyre ditëve pushimesh në Kakavijë janë të mirëseardhur emigrantët shqiptarë jo vetëm nga Greqia por edhe nga vende të tjera. Në mjaft raste bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Itali në pamundësi të gjetjes së një bilete trageti për në Shqipëri, kanë preferuar të udhëtojnë nga Italia në drejtim të porteve greke dhe më pas me automjetet private në drejtim të Kakavijës për tu kthyer në vendlindjes. “Në gjithë këto mori lëvizjesh e kisha të pamundur të gjeja një biletë trageti nga Brindizi për në Durrës”, thotë një emigrant nga Kavaja ne momentin që po kalon traun e Kakavijës shqiptare. Rugëzgjidhja e vetme për të ka qenë udhëtim me traget Brindizi-Igumenicë (Greqi) dhe më pas kthimi në vendlindje nëpërmjet doganës së Kakavijës. Mes morisë së varganit të automjeteve që përpunohen në doganën shqiptare nuk mungojnë as udhëtarët nga Kosova, të cilët e kanë parë të udhës udhëtimin me traget në drejtim të Greqisë dhe më pas hyrjen në Shqipëri nëpërmjet doganës së Kakavijës.

Rend dhe qetësi publike

Gjatë këtyre ditëve, në doganën e Kakavijës nuk është shënuar asnjë rast në lidhje me cenimin e rendit publik. “Si shkak i fluksit të rënduar të lëvizjes ne kemi marrë një sërë masash për të mbajtur nën mbikëqyrje rendin publik”,- thonë drejtuesit e policisë së Kakavijës. Aktualisht efektivi policor është në gatishmëri të plotë për të mbikëqyrur fluksin e rënduar të lëvizjes dhe qarkullimit në mjediset doganës shqiptare. Ndërkohë kontrollohen imtësisht të gjitha bagazhet e automjete private dhe autobusëve që udhëtojnë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Përgjatë rrugës kombëtare Kakavijë-Gjirokastër-Tepelenë nga ana e efektivave të policisë rrugore janë ngritur një numër i konsiderueshëm postblloqesh policore të cilat mbajnë nën kontroll trafikun e rënduar me qëllim shmangien e aksidenteve automobilistike./KohaJone

Libohova Online