Kakavijë, dy të arrestuar dhe një në kërkim. Ndihmuan për kalim të paligjshëm të kufijve

arrestim_2070Dy shtetas, të cilët akuzohen për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” në bashkëpunim, kanë përfunduar në pranga gjatë kësaj të hëne në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, pas operacionit të zhvilluar nga policia e Beratit të koduar me emrin “Azilanti 4”.

Shtetasit Hektor Gole, 31 vjeç, dhe Manxhar Shehu, 33 vjeç, të dy banues në Tepelenë, dyshohet të kenë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të ndihmuar 4 shtetas shqiptarë të kalonin kufirin drejt Greqisë në mënyrë të paligjshme nëpëmjet kufirit të gjelbër, kundrejt pagesës prej 650 eurosh për person.

Një tjetër shtetas, i identifikuar me inicialet K.G., 58 vjeç, është shpallur gjithashtu në kërkim.

Mbi këta shtetas është regjistruar një procedim penal në prill të këtij viti dhe, pas hetimeve me metoda speciale, është bërë edhe ndërhyrja, teksa gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet, 8 aparate celularë, 300 euro, 3 pasaporta biometrike, si dhe një pajisje për skanimin e pasaportave.

Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.