Kakavijë, grekët që vijnë për Kacifasin acarohen me policinë shqiptare. Radhë pritje deri në 3 km

Konstantinos Kacifas, 35-vjeçari i minoritetit grek që mbeti i vrarë pas sulmit mbi policinë shqiptare më 28 tetor do përcillet sot në banesën e fundit. Ditën e djeshme trupi i të ndjerit që ndodhej në Tiranë ku iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore ka mbërritur në vendin e tij të lindjes, Bularat. I veshur me rroba ushtarake dhe i mbuluar me flamurin grek, viktima është pritur nga qindra banorë të zonës e familjarë. Varrimi është parashikuar të mbahet sot në orën 13:00.

Pavarësisht se në Pikën kufitare të Kakavijës u shtuan sportelet, fluksi i madh i grekëve që po hyjnë në territorin shqiptar, për të qenë pjesë e ceremonisë mortore të Kacifas është i madh. Mësohet se radha në territorin grek është e madhe, duke arritur në 3 km, ndërkohë që po kryen kontrolle fizike mbi çdo person. Disa persona janë ndaluar deri më tani. Në territorin shqiptar mësohet se deri tani kanë hyrë 500 persona, ndërkohë që grekët janë acaruar nga pritja e gjatë.