Kakavijë, nis ardhja e emigrantëve për pushimet verore

Në stacionin kufitar të Kakavijës ka nisur kthimi i bashkëatdhetarëve tanë nga Greqia për të kaluar pushimet verore në vendlindje. Pjesë e lëvizjes në kufi në këto ditë vere janë edhe turistët e ndryshëm që vizitojnë vendin tonë për pushime.

Rritje e hyrjeve në sportele

Gjatë 24 orëve të fundit nëpërmjet sporteleve të kësaj dogane kanë hyrë në vendin tonë rreth 3 200 këmbësorë dhe 900 automjete. Aktualisht dogana shqiptare dhe greke punojnë me një numër të rritur sportelesh. Në Kakavijën shqiptare numërohen 4 sportele për kontrollin e dokumentave. Sipas drejtuesve të policisë së Kakavijës gjatë kontakteve që ata kanë zhvilluar me drejtues të policisë greke kanë marrë konfirmimin se do të punohet për shmangien e rradhëve të gjata dhe orëve të pritjes.

Mall për vendlindjen

Emigrantët që mbërrijnë gjatë këtyre ditëve në Kakavijë shprehen me mall për të afërmit dhe familjarët e tyre. Marjeta Koja, emigrant nga Durrësi shprehet se ”po kthehemi në vendin tonë për të kaluar pushimet verore. Shpresojmë që gjatë kësaj kohe këtu në Shqipëri të kenë ecur gjërat për më mirë”. ” Përfituam nga pushimet në Greqi për t’u kthyer këto ditë në Shqipëri. Me thënë të drejtën më ka marrë malli për miqtë dhe të afërmit e mi. Shpresoj t’ia kaloj mirë me pushime këtu”, shprehet emigrant, Sokol Shehaj. Ndërsa kthehet në vendlindje së bashku me familjen, emigranti nga Lushnja, Petrit Vasaj shprehet se “kemi ardhur në Shqipëri me pushimet e verës. Me thënë të drejtën kam disa kohë që nuk i kam parë të afërmit e mi por mesa kam folur në telefon kanë qenë mirë”. ”Vendosa që edhe sivjet pushimet t’i kaloj në Shqipëri. Shpresoj që këtu gjërat të kenë ecur për mirë”, thotë emigranti Eduart Bido.

Rend dhe siguri publike

Ndërkohë gjatë këtyre ditëve në doganën e Kakavijës nuk është shënuar asnjë rast në lidhje me cënimin e rendit publik. “Si shkak i fluksit të verës ne kemi marrë një sërë masash për të mbajtur nën mbikqyrje rendin publik”, thonë drejtuesit e policisë së Kakavijës. Aktualisht efektivi policor është në gadishmëri të plotë për të mbikëqyrur fluksin e lëvizjes dhe qarkullimit në mjediset e doganës shqiptare. Gjithashtu janë përforcuar edhe masat antikrim ndërsa kontrollohen imtësisht të gjitha bagazhet e automjete private dhe autobuzëve që udhëtojnë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Kakavija është një ndër doganat kryesore të vendit në të cilën përpunohet një fluks i konsiderueshëm i lëvizjes së këmbësorëve dhe mallrave në drejtim të Greqisë dhe anasjelltas./konica.al