Kandidatët për deputetë, emrat në listën e LSI për qarkun Gjirokastër

Ndonëse jemi ende larg zyrtarizimit të listave me kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 18 Qershorit, partitë pothuajse i kanë piketuar prej kohësh emrat e përzgjedhur. Kohë më parë ArgjiroLajm.net raportoi për kandidaturat e mundshme të PD-së dhe PS-së në qarkun Gjirokastër, ndërsa sot ndalemi tek lista e LSI-së.

Partia e Ilir Metës synon që në këto zgjedhje të “rrëmbejë” mandatin e dytë të deputetit në Gjirokastër. Në krye të listës është sërish Vangjel Tavo. Vendi i dytë dhe i tretë është rezervuar për dy femra, njëra që mban postin e drejtoreshës në Tepelenë, ndërsa tjetra vjen nga radhët e Lëvizjes Rinore për Integrim në Gjirokastër.

Është fjala për Ediola Brahajn, aktualisht drejtoresha e spitalit të Tepelenës dhe kryetarja e LSI-së për këtë qytet. Brahaj u denoncua disa kohë më parë nga paraardhësi i saj në spitalin e Tepelenës, për një abuzim financiar me rreth 80 milionë lekë.

Tjetra është Sindi Islamaj, e cila në fund të vitit të shkuar u zgjodh si përfaqësuese e LRI Gjirokastër në Komitetin Drejtues Kombëtar të LSI-së. Mundësitë më të mëdha për të qenë e dyta në listën e LSI-së i ka Ediola Brahaj nga Tepelena, ndërsa në vend të tretë pritet të jetë Sindi Islamaj.

Sa i përket vendit të katërt dhe të pestë, që praktikisht janë thjesht një formalitet, nuk ka ende emra konkretë, por me sa duket do të përcaktohen në prag të zyrtarizimit të listave në KQZ.

Fitorja e Bashkisë Gjirokastër dhe marrja e drejtimit të disa institucioneve të rëndësishme, ku LSI ka punësuar shumë militantë, shihet si një shpresë për t’i dhënë kësaj force mandatin e dytë të deputetit në qark.

Shto këtu edhe marrjen me qira të një televizioni lokal në Gjirokastër, në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e qershorit. Sidoqoftë mbetet për t’u parë çfarë rezultati do të prodhojë kjo listë kjo strategji e LSI-së në qarkun Gjirokastër./ArgjiroLajm.net