‘Keni 24 orë kohë’. A do të dorëhiqet kreu i Hipotekës në Gjirokastër?

Në një takim që mban në Kryeministri me drejtuesit e Hipotekave në të gjithë Shqipëri, kreu i qeverisë Edi Rama i ka kërkuar të japin dorëheqjen të gjithë pa përjashtim.
Kryeministri tha se situata në zyrat e Hipotekave sa i përket shërbimit ndaj qytetarëve, është skandaloze e për këtë arsye, nga i pari tek i fundit, drejtuesit e Hipotekave duhet të largohen vetë nga detyra.

“Ta marrin këtë vendim me dinjitet” – tha shefi i mazhorancës, ndërsa përballë tij kishte të gjithë krerët e Zyrave për Regjistrimin e Pronave të Paluajtshme.

“Nuk jeni për këtë punë, ikni që tani. Të gjithë komplet ju ftoj të jepni dorëheqjen brenda 24 orësh”, – theksoi Rama.

Rama tha një shembull në një Hipotekë ku nga 238 kërkesa kanë qenë pa përgjigje nga 246 që ka zyra.

“Domethënë të jesh përgjigjur në afat ligjor 3 % të kërkesave unë nuk e di se çfarë duhet më. Kush e ka të drejtën t’i shkelë qytetarëve të drejtën e tyre për afatet ligjore? Janë detyruese. Tallje kolektive ndaj njerëzve”, theksoi kryeministri.

Sa i përket Gjirokastrës, drejtori i Hipotekës është Meleq Karabina.