Këto janë 61 bashkitë e reja të Shqipërisë

91708Reforma administrativo-territoriale, e miratuar të enjten në Kuvend, e përcaktuar si një prioritet kyç i programit qeverisës 2013-2017, synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike vendore. Kjo përmes rritjes së efikasitetit të tyre, por dhe aksesit të qytetarëve në to, si dhe fuqizimit të njësive vendore të cilat janë shumë të fragmentuara dhe joefikase në ofrimin e shërbimeve. 

Harta e re administrativo-territoriale e ndan Republikën e Shqipërisë në 12 qarqe dhe 61 bashki. Nga ky organizim i ri i territorit konstatohet se ndarja në nivel qarqesh mbetet e pandryshuar. Rrethi, si njësi territoriale dhe nënndarje e qarkut, është suprimuar, në kushtet kur numri i bashkive është zvogëluar në 61 të tilla. Në disa raste territori i bashkive të reja, përkon dhe me kufijtë e rretheve, ndërsa mesatarisht çdo qark përbëhet nga 5 deri në 6 bashki. Me këtë konfigurim të ri të territorit shihet e arsyeshme që të hiqet ndarja në rrethe si njësi territoriale. 

Niveli i parë i qeverisjes vendore propozohet të riorganizohet me 61 njësi vendore, nga 373 bashki e komuna që janë aktualisht. Ndarja administrativo-territoriale me 61 bashki bazohet në metodologjinë e ‘zonave funksionale’. Ky term nënkupton njësinë vendore, e organizuar rreth një qendre urbane, që ka numrin më të lartë të popullsisë krahasuar me qendrat e tjera brenda zonës, dhe po ashtu ka mundësi të ofrojë një gamë të plotë të shërbimeve publike që duhet të ofrojë një njësi vendore. 

Në krijimin e 61 bashkive të reja janë bashkuar bashki dhe komuna ekzistuese, të cilat janë një zonë funksionale nga pikëpamja e kritereve teknike të miratuara nga komisioni i posaçëm parlamentar. Në këtë rast koncepti i njësive të reja vendore presupozon hapësira administrative të mëdha nga pikëpamja e territorit dhe e popullsisë, që përfshin si zonat urbane ashtu dhe ato rurale, duke lejuar një harmonizim të politikave zhvillimore dhe duke ulur pabarazitë e thella që ekzistojnë në ofrimin e cilësisë së shërbimeve, mes zonave urbane dhe rurale. 

Ligji i ri i ndarjes territoriale, i miratuar më 31 korrik në Kuvend, në nenin tre të tij përcakton se “organet e njësive vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011 dhe me juridiksion territorial sipas ndarjes administrativo-territoriale, të vitit 2000 do të vazhdojnë funksionimin e tyre deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2015. 
Zgjedhjet e ardhshme lokale do të organizohen dhe zhvillohen mbi bazën e ndarjes administrativo-territoriale të përcaktuar me ligjin e ri, ndërsa organet vendore që do të konstituohen pas këtyre zgjedhjeve do të organizohen dhe funksionojnë bazuar në ndarjen e re administrative. /Bw

Më poshtë vijon renditja e 61 njësive vendore sipas ndarjes së re administrativo-territoriale:
1. Malësi e Madhe 

2. Shkodër 
3. Vau i Dejës 
4. Fushë Arrës 
5. Pukë 
6. Tropojë 
7. Has 
8. Kukës 
9. Mirditë 
10. Mat 
11. Klos 
12. Lezhë 
13. Kurbin 
14. Dibër 
15. Bulqizë 
16. Durrës 
17. Krujë 
18. Shijak 
19. Vorë 
20. Tiranë 
21. Kamëz 
22. Kavajë 
23. Elbasan 
24. Librazhd 
25. Belsh 
26. Cërrik 
27. Gramsh 
28. Prrenjas 
29. Peqin 
30. Rrogozhinë 
31. Pogradec 
32. Maliq 
33. Korçë 
34. Pustec 
35. Devoll 
36. Kolonjë 
37. Divjakë 
38. Lushnje 
39. Fier 
40. Patos 
41. Roskovec 
42. Mallkaster 
43. Berat 
44. Kuçovë 
45. Urë Vajgurore 
46. Poliçan 
47. Skrapar 
48. Përmet 
49. Këlcyrë 
50. Vlorë 
51. Selenicë 
52.Himarë 
53. Tepelenë 
54. Memaliaj 
55. Gjirokastër 
56. Libohovë 
57. Delvinë 
58. Dropull 
59. Sarandë 
60. Livadhja 
61. Konispol 

Libohova Online