Kisha e Vasiliqisë në Himarë, dhuratë e Ali Pashës për zonjën e tij

hima-420x275Dikur, kisha e Vasiliqisë, në Porto Palermo, rreth 5 km në jug të Himarës, ishte një simbol i mbarësisë për banorët e zonës. Emri i Vasiliqisë ishte shndërruar në një shenjt. Prandaj dhe fëmijët pagëzoheshin këtu dhe merrnin emrat Vasil, apo Vasiliqi, ashtu sikundër zonja, emrin e të cilës mbante kisha e ndërtuar për nder dhe në shërbim të saj.
Kjo traditë e ndërprerë shumë dekada më parë, atëherë kur, për nevoja ushtarake u bllokua rruga që shkonte për Sarandë dhe filloi një luftë absurde ndaj besimeve fetare, nis bashkë me ndërtimin e kishës, pothuajse dy shekuj më parë.

Historia e kishës, nis me kështjellën

Historia e kësaj kishe lidhet me atë të kështjellës së njohur të Porto Palermos, e cila u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena, si një dhuratë për bashkëshorten e tij, Vasiliqinë.
Në fakt, vetë kisha e vogël që ndodhet disa dhjetra metra larg kështjellës, në anë të rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë, ishte pjesë e kësaj dhurate. Ashtu sikundër edhe vetë kështjella, gjatë disa dekadave ajo u shfrytëzua për qëllime të tjera, që nuk kishin lidhje fare me destinacionin e saj fillestar.
Ajo është një godinë e vogël, e ndërtuar me gurë të bardhë. Këtu besimtarët janë të shumtë. Ata vijnë këtu, ndezin qirinj, hedhin monedha në arkën e kishës dhe largohen me shpresën se, ky gjest do t’u shpërblehet në jetën e përditshme.
Klearko Koçi, specialist, thotë për ATSH-në se historia e kishës së Vasiliqisë është po aq e vjetër sa edhe ajo e vetë kalasë. Në realitet, ato i ndajnë nga njera tjetra vetëm pak ditë, ndoshta një ditë dhe një natë, aq sa zgjati ndërtimi i kishës. Sipas Koçit, pas ndërtimit të kështjellës, Pashai i Janinës u kujtua se bashkëshortja e tij e krishterë duhet të kishte edhe një kishë ku të falej. Një objekt i tillë i ngjashëm kishte mbetur në themelet e kalasë, që tashmë lartësohej në breg të detit Jon, si një dëshmi e shkëlqimit dhe forcës së Ali Pashë Tepelenës.

Ndërtimi i kishës, pas marrëveshjes së Ali Pashës me himariotët

Ishte viti 1918 kur Pashai i Janinës, ndodhej në kulmin e sundimit të vet. Pushteti i tij nuk njihte kufij. Himara, ishte krahina që ai kishte për zemër. Prandaj dhe një kështjellë-dhuratë për Vasiliqinë, që, sipas historianëve e donte shumë, do të përbënte edhe një simbol domethënës.
Por, sipas një historie që tregohet nga të moshuarit e Himarës, ndërtimi i kishës ishte edhe pjesë e një marrëveshjeje të Ali Pashës me “kapetanët” e Himarës, bashkë me atë të ndërtimit të kështjellës. Përmes kësaj marrëveshjeje, lundërtarët himariotë do të shfrytëzonin falas limanin që ndodhej pranë kështjellës për anijet e tyre, ndërkohë që do të kishin edhe një objekt kulti më shumë për t’u falur. Po ashtu, në këtë mënyrë, Ali Pasha, përveçse i kushtonte një objekt kulti dhuratë zonjës së vet, vendoste marrëdhënie mjaft të mira me himariotët në kuadrin e realizimit të objektivave të tij.

Ndërtimi i kishës, brenda 24 orëve

Për ndërtimin e kishës, si edhe për kështjellën, Ali Pasha zgjodhi mjeshtra të famshëm për kohën, mes të cilëve Petro Përmetarin dhe një arkitekt italian.
Nuk dihen arsyet që e shtynë Ali Pashën, ta ndërtonte kishën jashtë mureve të kështjellës. Gjithsesi, ai kërkoi që, ky objekt të ndërtohej, madje brenda një kohe mjaft të shkurtër. “Nuk dihet sa ka zgjatur realizimi i kishës. Ka mendime se ndërtimi i saj, mund të ketë përfunduar brenda 24 orëve”, thotë Koçi. Arkitektura e saj është e thjeshtë dhe mjaft e ngjashme me atë që është përdorur në ndërtimin e kalasë. Në fakt, ngjashmëria mes këtyre objekteve, reflekton dukshëm në elementët e një godine që ndodhet në tarracën e kështjellës, e cila shërben edhe si një mburojë, për një nga hyrjet e shumta të saj.
Pashai kishte kërkuar nga arkitekti italian që, kisha të ishte e sigurtë nga cdo sulm që mund t’i vinte. Bashkëshorten e tij, nuk duhet ta kërcënonte asnjë rrezik. Madje edhe nga ndonjë sulm i largët me topat e fuqishëm të kohës. Ajo do të vinte këtu, në çdo kohë dhe duhet të ishte e qetë në momentet kur i falej Zotit. Asgjë nuk duhej ta shqetësonte e aq më tepër, të rrezikonte jetën e saj.
Për të qenë plotësisht i bindur, Pashai i Janinës vendosi të bënte një provë. Përpara se t’i jepte shpërblimin, i kërkoi arkitektit italian të futej brenda në kishë. Për disa orë, ai e sulmoi objektin e sapondërtuar me topa të kalibrave të ndryshëm që ndodheshin në kështjellë. Gjithcka rezultoi, ashtu sikundër kishte garantuar edhe arkitekti: kisha ofronte të gjithë sigurinë e nevojshme. Në fasadën e saj të gurtë, nuk ishte shfaqur asnjë dëmtim serioz. Kishte mbetur vetëm një gjurmë e vogël nga gjylja e një topi me kalibër të madh, e cila, gjithsesi, nuk ishte shqetësuese. Kjo gjurmë, është lehtësisht e identifikueshme edhe sot. Ajo ndodhet në një lartësi prej rreth 1.5 metrash nga niveli i tokës, në krahun e majtë të fasadës, në të njëjtin nivel me një kabëll elektrik që përshkon këtë fasadë. Është një gjurmë-gërvishtje, që, teksa na e tregon ciceroni Koçi, na sjell në mend të gjallë, historinë e pothuajse dy shekujve më parë.

Për më shumë se 30 vjet, kisha një depo e ushtrisë

Kisha e vogël, ku Vasiliqia, kalonte mjaft orë, i rezistoi kohës. Ajo vazhdoi të shërbente si një objekt kulti edhe në dekadat e mëpasme, ku banorë të zonës faleshin. Historia e saj, ishte edhe një arsye më tepër që, besmitarët të ishin të shumtë. Në vitet e rregjimit komunist, kisha u shndërrua në një depo të ushtrisë, ashtu siç u shndërrua edhe vetë kështjella, bashkë me disa objekte që u ndërtuan për këtë qëllim. Dëshmi e këtij tjetërsimi, janë edhe dy godina të shëmtuara, që janë ndërtuar në të dy anët e kishës.
Banorë të zonës, apo dhjetra e qindra të tjerë, vendas e të huaj, që vijnë në kështjellë, kthehen edhe këtu në këtë objekt. Ndezin një qiri dhe bëjnë kryqin, pavarësisht se cilit besim i përkasin. Gjurmët e kësaj i ndeshim gjithandej, në hapësirën e vogël por mjaft të këndshme të kishës. Ajo njihet thjesht me emrin Kisha e Vasiliqisë e cila, duket se është shndërruar në një shenjtore, për ata që e frekuentojnë këtë objekt kulti./kohajone