Kompetencat që marrin Bashkitë e reja, nga arsimi deri te zjarrfikësit

Libohove3Bashkitë e reja do të kenë kompetenca më të zgjeruara, duke përfshirë në varësi të tyre edhe 5 drejtori të tjera, që sot janë degë rajonale në varësi të ministrive të linjës. Qeveria po përgatit një projektligj të ri i cili mundëson zgjerimin e kompetencave dhe përcaktimin e fushave të përgjegjësisë për 61 bashkitë e vendit.
 
Drejtoritë
Bëhet fjalë për disa institucione të cilat deri më tani kanë funksionuar si degë rajonale të drejtorive të përgjithshme në varësi të ministrive, siç është ajo e Mjedisit dhe Bujqësisë. Tashmë që bashkitë janë zgjeruar edhe në pikëpamjen territoriale, qeveria ka vlerësuar që edhe këto shërbime të unifikohen si punime lokale.

Drejtoritë rajonale si psh. të Pyjeve, Bordet rajonale te kullimit, Bujqësisë etj., do t’i kalojnë duke filluar në vitin 2016 qeverisjes vendore. Gjithashtu shërbimi zjarrfikës do të jetë në varësi të pushtetit vendor. Po ashtu edhe personeli jo arsimor në shkolla dhe kopshte do të kalojnë në varësi të pushtetit vendor. Të gjitha këto ndryshime do të fillojnë në vitin 2016, pas miratimit të buxhetit të ri.

Administrata
Përkohësisht të gjithë punonjësit e komunave e bashkive që shkrihen do të jenë të punësuar pranë bashkive të reja, deri në strukturimin e tyre të plotë. Pozicionet kryesisht të rrezikuara janë ato të juristëve dhe ekonomistëve të komunave, të cilët nuk do të jenë më të nevojshëm në atë numër pranë bashkive të mëdha.

Marrëdhëniet e punës transferohen të gjitha, nga komunat tek bashkitë e reja. Pra, nuk mund të ndodhë që kryetarët e bashkive të vijnë ditën e parë në punë e të thonë : ikni të gjithë nga puna punonjësve të ish komunave. Kjo nuk mund të ndodhë pasi është e garantuar me vendim qeverie. Sigurisht që do të ketë ristrukturime dhe riorganizim të strukturave  të administratës se pushtetit vendor.

Sigurisht që nuk do të kemi më pozicione financieresh apo juristësh pasi këto shërbime qendërzohen pranë bashkisë së re, por do të vijojnë të jenë ata që do të ofrojnë shërbime pranë qendrave me një ndalesë që do të jenë pranë godinave aktuale të bashkive dhe komunave që shkrihen, apo punonjësit e shërbimit si psh. për mirëmbajtjen e rrugëve lokale, te mirëmbajtjes se shkollave etj.