Konferenca e Papës në avion: Shqipëria nuk është vend mysliman, është vend europian

 Konferenca e Papës në avion: Shqipëria nuk është vend mysliman, është vend europian

papa6 (1)Edhe pse udhëtimi me avion nga Shqipëria drejt Romës zgjat vetëm 90 minuta, sërish Papa gjeti kohën për të realizuar konferencën e tij të zakonshme me gazetarët në avion. Sipas Radio Vatikanit, Papa u tha gazetarëve se do përgjigjej vetëm pyetjeve për udhëtimin, për të mos e eklipsuar këtë ditë. Gjatë konferencës, Papa nënvizoi faktin se Shqipëria është në periferitë e Europës, duke thënë se kjo është një shenjë që donte të jepte.

Ai theksoi po ashtu faktin se Shqipëria ka një shumicë myslimane, por nuk është vend mysliman, por një vend europian. Papa nënvizoi bashkëpunimin mes tre feve të mëdha, Islamit, Ortodoksizmit dhe Katilicizmit. Ai theksoi se sa e rëndësishme është kultura e tolerancës dhe vëllazërisë në Ballkan.

Sërish Papa tha se i kishte bërë shumë përshtypje rinia e vendit.

“Mund të shohësh një kulturë të lartë, në gjendje për të ndërtuar vëllazëri,” tha ai.

Papa tha se ka studiuar për dy muaj historinë e persekutimit gjatë komunizmit, duke u përpjekur të kuptojë atë që ka ndodhur.

“Ishte një periudhë e tmerrshme, niveli i mizorisë ishte i tmerrshëm,” tha ai.

“Kur pashë posterat e atyre martirëve, jo vetëm katolikë, por edhe ortodoksë dhe myslimanë… kjo ndodhi për shkak se ata besonin në Zot. Secili nga tre komunitetet ka dhënë dëshmitarë përpara Zotit”.

Papa Françesku pranoi se nuk i mbajti lotët kur dëgjoi historinë e priftit të burgosur për 27 vite, duke thënë se ai është mishërim i përulësisë njerëzore.

Libohova Online