Krijohet ndërmarrje e veçantë, drutë për ngrohje do t’i bleni në Bashki

1469193495druQeveria ka miratuar një vendim i cili u jep të drejtën bashkive, që pavarësisht moratoriumit, të shfrytëzojnë pyjet për të plotësuar nevojat e popullatës për ngrohje.

Sipas vendimit, prerja e pyjeve për ngrohje do të realizohet nga kompani private të kontraktuara nga bashkitë ose edhe ndërmarrje publike që do të ngrihen posaçërisht për këtë qëllim nën administrimin e njësive të pushtetit vendor.

Në të dy rastet, këto kompani do të kryejnë vetëm shërbimin e prerjes dhe transportit, ndërsa shitja e druve do të kryhet nga vetë bashkia sipas tarifave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Përmes këtij vendimi qeveria synon të zgjidhë një problem të krijuar nga ligji për moratoriumin e pyjeve, i cili bën të pamundur furnizimin e popullatës me dru zjarri, veçanërisht në zonat e thella, ku drutë janë mënyra e vetme për ngrohje.

Por. veç shfrytëzimit të pyjeve vendase, burime nga ministria e mjedisit thonë se një tjetër mundësi për plotësimin e nevojave për ngrohje do të jetë edhe importi.

Pak kohë më parë, qeveria hoqi çmimin referencë të druve për ngrohje si një masë për të ulur kostot e importit për këtë produkt. të dhënat zyrtare nga doganat tregojnë se për dy muajt e parë të vitit, importi i druve nga jashtë u rrit me mbi 43 për qind nga 16 mijë e 800 tonë që ishte në 24 mijë e 100 tonë./TCh