Kriteret e reja për pranimet në universitet. Ja sa duhet ta keni mesataren
Kandidatët që do të konkurojnë këtë vit për t’u pranuar në universitete, sipas ligjit të ri të arsimit të lartë do të duhet t’i nënshtrohen kritereve të vendosura nga vetë universitetet, për të kryer studimet ose jo.
Ndryshe nga vitet e kaluara, nuk do të jetë më muaji shtator koha e shpalljes së fituesve por muaji korrik, menjëherë pas përfundimit të maturës shtetërore. Ndërkohë që, sipas ligjit të arsimit të lartë janë universitetet që do të përcaktojnë kriteret e pranimit për kandidatët.
Kështu, nëse një kandidat do të konkurojë në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Ekonomisë duhet të ketë aftësi të mira në matematikë, ekonomi, fizikë e gjuhë të huaj. Kjo pasi, këto lëndë do të kenë 50% të peshës së pikëve që do të sigurojë kandidati ndërsa 50% do e zënë nota mesatare e tre viteve.
Universiteti i Arteve dhe i Sporteve do të jenë universitetet e vetme që do të kenë konkurse. Kandidatët do të duhet të konkurojnë në bazë të aftësive që kanë, në lidhje me profilet që do të zgjedhin.
Universiteti i Tiranës ka përcaktuar 50% mesataren e tre viteve përfshirë edhe notat në provimet e maturës dhe 50% e ka mesatarja e grup-lëndëve, sipas drejtimeve që ka Universiteti i Tiranës, në lidhje me degët që ofron. Ndërkohë që nuk do të ketë konkurs për studentët e rinj.
Për universitetin e Mjekësisë, 35% do ta kenë notat e maturës shtetërore, 35% nota mesatare e tre viteve dhe lëndët formuese 30%, përkatësisht 10% kimia, 10% fizika, 10% biologjia, sociologjia 2 % dhe filozofia 2%.
Për ciklin e dytë të studimeve, nota mesatare do të jetë 8.5. Për degët si infermieri, mami, fizioterapi, imazheri, logopedi në ciklin e parë të studimeve, nota mesatare është përcaktuar 8.
Për universitetin Politeknik, nota mesatare është propozuar nota 6. Ndërsa universitetet e rretheve, ende zyrtarisht nuk kanë bërë me dije kriteret e pranimit.