Kryebashkiakja e Libohovës i përgjigjet televizionit të LSI-së (Deklarata)

Kryebashkiakja e Libohovës Luiza Mandi ka reaguar sot përmes një deklarate lidhur me raportimet e fundit të Televizionit Alpo në Gjirokastër sa i përket papunësisë apo impaktit të investimeve në këtë bashki.

Ndonëse Mandi nuk e përmend nominalisht Alpo Televizion, kuptohet që deklarata e saj ka të bëjë me këtë media të kontrolluar nga LSI Gjirokastër.

Kryebashkiakja e Libohovës sqaron çështjen e punësimeve të libohovitëve në investimet që po kryhen, duke thënë se vazhdimisht ajo ka ndërmjetësuar me kompanitë private për të punësuar vendasit dhe kjo ka ndodhur, sikundër ka pasur raste kur palët (punëdhënës e punëmarrës) nuk janë dakordësuar për pagën.

Më poshtë reagimi i plotë i saj.

Në respekt të opinionit publik dhe bashkëqytetarëve të Libohovës dëshiroj të ndaj me ju qëndrimin tim lidhur me disa raportime të fundit në mediat lokale në Gjirokastër. Sigurisht që s’e kam menduar kurrë të diktoj punën e gazetarëve dhe as nuk kam për ta bërë ndonjëherë diçka të tillë. Media është e lirë të raportojë dhe natyrisht të luajë rolin e vet në demokraci si një pushtet i pavarur, që nuk bëhet palë me asnjë pushtet tjetër.

Por reagimi im lidhet me instrumentalizimin që po i bëhet problemit të papunësisë në Libohovë dhe pretendimit të ngritur se gjoja investimet që po kryhen në këtë bashki “nuk e ngrenë aspak nivelin ekonomik të zonës”, duke shtuar këtu edhe gjysmë të vërtetën se “të gjithë punëtorët janë të ardhur”.

Së pari, as nuk marr guximin të them që në Libohovë s’ka të papunë apo të pretendoj se nuk ka familje në nevojë. Natyrisht që ka, sikundër kjo problematikë është e pranishme edhe në qendra më të mëdha urbane. Papunësia në Libohovë nuk u krijua në këtë një vit e gjysmë që unë jam kryebashkiake.

Së dyti, sa i përket investimeve dhe impaktit që ato kanë në Bashkinë Libohovë, nuk provohet me gjysmë-kronika të mbushura me pasaktësi apo nxjerrje të deklaratave të mia jashtë kontekstit në të cilën janë thënë.

Së treti, lidhur me atë që në investimet e kryera në Libohovë punësohen “punëtorë të ardhur”, e vërteta është kjo. Kompanitë që kanë realizuar punime deri më tani, janë shpallur fituese përmes një procesi transparent online, sikundër bëhen të gjitha prokurimet publike. Bashkia Libohovë dhe asnjë institucion tjetër nuk e ngarkon ligji të detyrojë një kompani private, se cilët punëtorë duhet të marrë, nga duhet të jenë apo sa duhet t’i pagujë për të kryer punimet. Në momentin që kompania fiton tenderin për një investim të caktuar, ligjërisht ne duhet të mbikëqyrim punimet sipas situacioneve dhe jo të diktojmë kë duhet të punësojë apo sa duhet ta paguajë.

Por përtej kësaj, duke e njohur problemin e papunësisë në Libohovë, unë si kryebashkiake jam angazhuar personalisht në të gjitha rastet tek çdo kompani për të punësuar punëtorë apo zanatçinj nga Libohova. Kam ndërmjetësuar dhe do të vazhdoj ta bëj diçka të tillë për aq kohë sa do të jem në këtë detyrë. Dhe në të gjitha rastet e kam gjetur mirëkuptimin e kompanive private, pasi është gjithashtu në interesin e tyre të punësojnë vendasit.  

Zanatçinj apo punëtorë nga Libohova janë punësuar e do të vazhdojnë të punësohen në këto investime. Sigurisht që ka patur plot raste kur palët nuk kanë rënë dakord për pagesat e punimeve dhe kjo është një marrëdhënie tërësisht private kontraktuale mes punëdhënësit e punëmarrësit. Bashkia Libohovë e aq më tepër unë si kryebashkiake nuk mund të diktoj një kompani private për pagesat që do t’u bëjë punëtorëve, sikundër nuk mund të diktoj asnjë punëtor apo zanatçi që të pranojë të punojë me një nivel të caktuar page. Është një marrëdhënie mes dy palëve (kompanisë dhe punëtorëve/zanatçinjve), marrëdhënie në të cilën Bashkia nuk mund të ndërhyjë.

Në fund dëshiroj të theksoj se në këtë një vit e gjysmë që shërbej si kryebashkiake, Libohova ka përfituar investime më shumë se çdo herë tjetër. Investimi i fundit është ai për rivitalizimin e qendrës së Libohovës. Mediat janë të lira të raportojnë dhe sigurisht që s’marr përsipër të gjykoj punën e tyre sepse janë qytetarët ata që na vlerësojnë të gjithëve. Por mendoj se nuk është aspak profesionale dhe nuk i shërben publikut shtrembërimi i fakteve, instrumentalizimi i ndonjë të qejfmbeturi apo folklorizmat në prag të fushatës elektorale.

Përtej të gjithave, garantoj qytetarët se asgjë s’e pengon dot përpjekjen tonë të përbashkët për të përmirësuar infrastrukturën në Libohovë, për të ulur papunësinë dhe për t’i dhënë më shumë perspektivë zonës.

Faleminderit!