Kryebashkiakja e Libohovës: PD të mos përdor politikisht fatkeqësinë e familjes Dervishi

Luiza-Mandi-283x3001-283x300Nga Luiza Mandi

Deklaratë për mediat dhe opinionin publik

Prita përfundimin e ceremonisë mortore të të ndjerit Genci Dervishi për të t’i dhënë përgjigje akuzave dhe të pavërtetave të thëna dje nga dega e Partisë Demokratike në Gjirokastër, për mua personalisht dhe institucionin që unë drejtoj. Do duhej që drejtuesit e kësaj partie të respektonin së paku kodin e vdekjes dhe solidaritetin që kërkon ky moment, por e kanë më të lehtë ta përdorin politikisht fatkeqësinë e familjes Dervishi.

Ajo që Partia Demokratike e quan “ngutje për të kuruar fasadat”, në fakt ishte një emergjencë për Libohovën dhe për këtë janë dëshmimtarë të gjithë ata që jetojnë këtu. Rrepet e thatë në qendër të qytetit rrezikonin qytetarët dhe kompleksin muzeal aty pranë. Prerja e tyre nuk bëhej për fasadë siç thotë PD-ja, por ishte një domosdoshmëri, për të evituar rrezikun që na kanosej përditë.

Nxitoni të bëni prokurorin dhe gjykatësin, vetëm për ta përdorur politikisht këtë ngjarje. Unë si kryebashkiake e Libohovës do të tregohem institucionale deri në fund, duke refuzuar të bie në batakun tuaj. Ngjarja aksidentale po hetohet nga Prokuroria e Gjirokastrës dhe duhet të presim rezultatet.

Por përsa i përket Bashkisë Libohovë, garantoj qytetarët dhe opinionin publik se janë ndjekur të gjitha proçedurat ligjore për kontraktimin e firmës që do të kryente këtë ndërhyrje emergjente. E njëjta firmë ka qenë edhe një vit më parë në Libohovë, ku preu të tjera rrepe të thatë. Megjithatë këto dhe shumë detaje të tjera janë pjesë e hetimit të nisur për zbardhjen e ngjarjes.

Në asnjë moment dhe për asnjë arsye të ndjerit Genci Dervishi, nuk i është bërë presion për vendin e punës, nga unë si kryebashkiake apo dikush tjetër në atë institucion. Pretendimi juaj është pjesë e të pavërtetave që i servirni qytetarëve, ende pa u shuar jehona e ngjarjes së rëndë.  

Koha e falsifikimit të dokumenteve, abuzimit me detyrën dhe sjelljeve arrogante me qytetarët, në Bashkinë e Libohovë ka perënduar që më 21 qershor. Për fat të keq ajo që nuk merr fund ende, është retorika juaj e vjetër e të bërit politikë me çdo fatkeqësi të mundshme.

Edhe njëherë gjej rastin për të shprehur ngushëllimet për familjen e kolegut Dervishi. Ju garantoj se Bashkia Libohovë është në mbështetje të saj për të kapërcyer këtë moment të vështirë.