Kumbaro sulmon Tavon në Bulo e Drino: Asnjë votë për ata që ju gënjejnë me vaksinën e lopës, me miell apo numrin e telefonit

Kandidatja për deputete e PS-së, Mirela Kumbaro, në takimet e zhvilluara në fshatrat Drino e Bulo,  u tha banorëve se e ardhmja e tyre do të varet nga zgjedhja që do të bëjnë më 25 qershor. “Mendoni nëse do të votoni për veten tuaj apo për një individ – iu drejtua Kumbaro banorëve, duke theksuar se PS nuk është parti për të zgjidhur hallin e një personi, por  jep zgjidhje për gjithë komunitetin.

Ndonëse nuk e përmendi me emër, gjatë fjalimit të saj ajo ka “thumbuar” Vangjel Tavon, duke iu referuar numrit të telefonit apo vaksinimit të bagëtive, pasi në Gjirokastër Drejtoria e Bujqësisë ishte drejtuar prej LSI-së dhe në jo pak raste ka patur pretendime që vaksinat apo subvencionet për fermerët jepeshin në këmbim të votës.

“Nuk kemi ardhur t’ ju kërkojmë votën pas katër vitesh dhe tu themi na jepni votën sot, se do ta bëjmë nesër. Erdhëm t’ju themi  ja çfarë kemi bërë në katër vite, ja si kemi punuar, ja cfarë dimë të bëjmë, ja ku duam të shkojmë . Kjo është shumë e thjeshtë. Në 25 qershor ju me votën tuaj keni të drejtë të vendosni nëse programi  dhe modeli i Edi Ramës do të vazhdojë,  që të bëhen edhe rrugë të tjera dhe investime të tjera, siç ka treguar që i bën, apo do të ndërpresim çdo gjë dhe do kthehemi pas në 2012-ën. Fshijeni rrugën në një moment, të gjitha investimet, ndalon zhvillimi dhe ne ngelim në vend. Sepse vota nuk kërkohet dhe nuk jepet as për një thes miell e as për  një lopë të vaksinuar  më shumë a më pak,  e as për një numër  telefoni që të përgjigjet a nuk të përgjigjet. Se kjo mund të zgjidhë hallin e një njeriu,por nuk zgjidh sistemin, nuk zgjidh fshatin”, tha Kumbaro.

Në mbyllje të fjalës së saj Kumbaro ka theksuar se PS është e vetmja forcë që mund t’u japë rrugë reformave të nisura dhe transformimeve urbane, në shërbim të komunitetit. Ajo ka kërkuar nga banorët t’i kërkojnë llogari çdo kandidati dhe çdo partie, për punët e kryera në këto vite, në shërbim të atyre që sot u kërkojnë votën.