Kundër monopolit të kompanisë ‘Argjiro’, Libohova duhet të ketë linjën e vet drejt Tiranës

Prej katër ditësh shoferët e autobusëve dhe furgonave të shoqërisë ‘Argjiro’ në Gjirokastër janë duke protestuar pasi pretendojnë se konkurrenca e pandershme po u dëmton punën. Konkretisht ata e kanë ‘betejën’ me dy linja transporti drejt Tiranës; linjën që niset nga Libohova dhe linjën që niset nga Dropulli.

Nëse ndjek më vëmendje deklaratat e shoferëve këto ditë në media, kërkesa e tyre është thjesht të hiqen këto dy linja. Por le të përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka në themel të këtij konflikti dhe cila palë ka të drejtë. Natyrisht që shoqëria ‘Argjiro’ ka pjesërisht të drejtë.

Heqja e linjave Libohovë- Tiranë dhe Dropull-Tiranë vetëm sepse një shoqëri e vetme në Gjirokastër kërkon të ruajë monopolin e transportit të udhëtarëve është absurditet. ‘Argjiro’ nuk ka tagrin të përcaktojë se cila bashki duhet të ketë apo jo linjë drejt kryeqytetit. Libohova dhe Dropulli kanë të drejtën e tyre të kenë linja për në Tiranë. Nëse zotëruesve të tyre u leverdis ekonomikisht ky biznes, le të qëndrojnë në treg. Nëse jo, të dalin nga tregu dhe ta marrë dikush tjetër licencën.

Por të penalizosh një komunitet të tërë në Libohovë e Dropull për linjë drejt Tiranës vetëm sepse kërkon një shoqëri në Gjirokastër, kjo është e papranueshme. ‘Argjiro’ ka plotësisht të drejtë që linja e Libohovës, Dropullit, por edhe e Sarandës, të mos marrin pasagjerë në Gjirokastër. Kjo patjetër që duhet disiplinuar nga policia dhe strukturat e tjera të monitorimit.

Njëkohësisht nga ana tjetër edhe autobusët e shoqërisë ‘Argjiro’ duhet të mos ndalen në Tepelenë, Memaliaj, Krahës, Levan, Fier apo gjetkë për të marrë pasagjerë. Pra, të njëjtin rregull që ‘Argjiro’ kërkon tek linjat e Libohovës dhe Dropullit duhet ta zbatojë vetë sapo mjetet e saj të transportit nisen nga Gjirokastra.

Sa më shumë linja transporti, por të disiplinuara sipas itinerareve të përcaktuara, nuk janë të dëmshme, përkundrazi rrit konkurrencën dhe përmirëson shërbimin. Nëse ‘Argjiro’ ngelet kompani e vetme në rrethin Gjirokastër, duke ruajtur kështu pozitat e monopolit, sigurisht që në një treg monopol mos prisni të ketë zhvillim sepse s’ka konkurrencë.

Udhëtarët presin kushte më të mira transporti, autobusë komodë dhe komforte të tjera. Kjo nuk arrihet kurrë nëse ekziston vetëm një shoqëri transporti si ‘Argjiro’. Le të jenë shoqëritë e tjera, por të disiplinuara me orare dhe stacione të përcaktuara qartë.

Ata që protestojnë sot, sigurisht janë në të drejtën e tyre, por nuk mund të diktojnë hyrjen apo daljen nga tregu të kompanive të tjera në Libohovë, Dropull, Sarandë e gjetkë. Në gjithë këtë histori, që natyrisht ka brenda pazare licencash, qoka elektorale dhe ryshfete zyrtarësh, duhen marrë në konsideratë edhe udhëtarët. Mos i trajtoni udhëtarët si mish për top. Janë në lirinë e tyre të udhëtojnë me ato shoqëri që ofrojnë shërbim më të mirë, që kanë mjete transporti më komode, që kanë çmim më konkurrues. Të gjitha këto nuk i përmbush detyrimisht kompania ‘Argjiro’, linja e Libohoves, Dropullit apo Sarandës. /Argjirolajm.net