“Kundërpërgjigjia” serbe ndaj Samitit të Berlinit

b8ac6f21a1b6157a588a57Nga Kevin Sinani

Vetëm pak javë pas përfundimit të Samitit të Berlinit, të iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe me pjesëmarrjen e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, një tjetër samit do ta vendosë këtë rajon sërish në krye të agjendës diplomatike botërore, kësaj herë të Kinës.

Kina dhe Serbia kanë rënë dakort që të organizojnë në muajn dhjetor të këtij viti në Beograd samitin midis Pekinit dhe 16 shteteve të Europës Qëndrore dhe Juglindore. Ky është viti i tretë që Kina merr këtë iniciativë pas samitit të organizuar në Varshavë dhe Bukuresht. Një fakt interesant është se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, superfuqia kineze ka zgjedhur Beogradin për të organizuar këtë samit.

Një kryeministër kinez rikthehet në Beograd pas 30 vitesh dhe për serbët kjo ngjarje konsiderohet historike dhe me përfitime të mëdha ekonomike.

Gjermania zgjodhi në samitin ekonomik të organizuar prej saj si përfaqësuese të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë. Kjo u konsiderua në Tiranë si një fitore e rëndësishme politike dhe diplomatike ndaj fqinjëve tanë.  Por a solli ai edhe përfitime ekonomike, përfitim që është prekshëm direkt nga qytetarët? Kryeministri Rama udhëtoi drejt ekonomisë më të fuqishme të Europës, me plane konkrete të cilat tejkalonin interesat e Shqipërisë duke përfshirë në to edhe vendet e tjera të rajonit.  Megjithatë , në Berlin për projektet e shpalosura nuk u bë e qartë nëse do të ishte vetë Gjermania ajo që do ti financonte ato dhe nëse po, kur do të ndodhte kjo.

Në përfundim të këtij samiti Shqipëria përfitoi më shumë kapital politik sesa  ekonomik. Gjithashtu në mediat shqiptare dhe kosovare nuk mbeti pa komentuar edhe afërsia që kryeministri Rama kishte gjatë gjithë kohës me kancelaren Merkel, ndërsa kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, dukej i veçuar dhe në hije përgjatë organizimeve dhe takimeve me liderët gjermanë.

Megjithatë, Serbia me sa duket ka pasur plane të tjera. Ajo ka planifkuar deri në detaj përfitimet nga samiti me Kinën, duke u përqëndruar tek përfitimi ekonomik sigurisht. Kryeministri Rama udhëtoi ditën e martë në drejtim të Pekinit ku edhe u takua me homologun e tij kinez dhe investitor të këtij vendit. Në të njëjtën ditë drejt Kinës udhëtoi dhe kryeministri serb, Vucic, i cili kishte pothuajse të njëjtën axhendë takimesh si kryeministri ynë, vetëm se ndryshe nga Rama, Vucic do të dilte nga këto takime me rezultate konkrete.

Rama i ofroi Kinës portin e Shëngjinit, kërkoi investime për “Rrugën e Arbrit”, madje shpalosi edhe projektin e Korridorit të Kaltër, një iniciativë e cila disa javë më parë iu prezantua plot bujë Berlinit për ta financuar. Pavarësisht projekteve ambicioze të qeverisë shqiptare, sërish këto projekte mbetën në nivel diskutimesh. Vetë Rama do të shprehej për “mundësi bashkëpunimi me Kinën” dhe jo për ndonjë bashkëpunim konkret.

Ndryshe nga Rama, kryeministri serb u rikthye në Beograd me premtime dhe marrëveshje konkrete. Gjatë samitit që do të zhvillohet në dhjetor në Beograd, kryeministrat e Serbisë, Kinës dhe Hungarisë do të firmosin marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës së shpejtësisë së lartë e cila do të lidhë Beogradin dhe Budapestin. Gjithashtu kryeministri kinez, Li, ka rënë dakort me kryeministrin grek  Antonio Samaras, që kjo linjë hekudhurore të shtrihet deri në portin e Selanikut duke u bërë një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore për Serbinë. Kompani të rëndësishme kineze ndodhen tashmë në Serbi duke investuar në sistemin energjitik dhe infrastrukturën rrugore të këtij vendi.

Tashmë është e qartë se Aleksandar Vucic nuk e ka vuajtur shumë largësinë me kancelaren Merkel në Berlin, pasi afërsia me kryeministrin Li Keqiang, do ti sjell shtetit të tij investimet e mëdha në infrastrukturë dhe pse jo ndonjë prestigj politik. Për Serbinë samiti i ekonomik i Berlinit ishte dukshëm i pa rëndësishëm në planet afat shkurtra pasi paratë pritet të vijnë nga Lindja e Largët. Sa përket Shqipërisë, ne duhet të presim që Gjermania të veprojë më shpejt në lidhje me projektet që Tirana i ka vendosur në tryezë, në të kundërt do të duhet të presim që vendi ynë të të bëhët tërheqës në sytë e Kinës./Mapo