Prej disa kohësh Bashkia Libohovë ka pasur një profil në rrjetin social Facebook, ku kumunikonte me qytetarët dhe pasqyronte virtualisht evente apo aktivitete të ndryshme. Normalisht që një faqe e tillë, duhet konsideruar si pronë e institucionit dhe pavarësisht se ndryshojnë kryetarët apo personat që merren me administrimin e saj, faqja mbetet aty. Por nuk ka ndodhur kështu në rastin e Bashkisë Libohovë.
Pasditen e sotme faqes i është ndërruar emri nga “Bashkia Libohovë”, në “Qyteti Libohovë”. Fotografia me logon e Bashkisë Libohovë është hequr nga faqja dhe është zëvendësuar me një foto tjetër, por që nuk është vështirë të kuptosh përmes postimeve të mëparshmë se bëhet fjalë për faqen e Bashkisë.
Sa herë Libohova Online ka dashur të marrë informacion zyrtar nga Bashkia Libohovë ka komunikuar përmes kësaj faqe, të cilën e administronte ish-nënkryetari i Bashkisë, Adil Xhelili. Nuk dihen motivet përse faqes i është ndryshuar emri dhe a është bërë ky ndryshim nga ish-nënkryetari i Bashkisë Libohovë. Ne tentuam të komunikojmë me këtë faqe, për t’i marrë informacion rreth këtij ndryshimi, por deri më tani nuk kemi një përgjigje.
Sidoqoftë është lehtësisht e dukshme që në e faqen e Bashkisë Libohovë, pavarësisht ndryshimit të emrit, postimet e hershme janë po aty.
Libohova Online u interesua pranë Bashkisë Libohovë për këtë cështje dhe na është komunikuar që nuk kanë akses në faqe, pasi personi i mëparshëm që e kishte nën administrim (ish-nënkryetari, Adil Xhelili), ishte shprehur që “nuk e mbante mend kodin”. Por ndërkohë sot pasdite faqes i është ndryshuar emri nga “Bashkia Libohovë” në “Qyteti Libohovë”.
Një veprim i tillë bën përgjegjës personin/personat që e kanë administruar deri më tani faqen si dhe kryebashkiaken e re Luiza Mandi, që duhet të ushtrojë të gjithë autoritetin ligjor për të mos lejuar keqpërdorimin e kësaj faqe. Kujtojmë që ka qenë deri më sot faqja zyrtare e Bashkisë Libohovë në rrjetin social Facebook. Prej sot e kanë bërë “Qyteti Libohovë”, njësoj si profili i hershëm “Qyteti i Libohovës”, që është pjesë e sajtit LibohovaOnline.com