Kush është Laert Duraj, njihuni me kandidatin e katërt të PS në Gjirokastër

Laert Duraj është kandidati i katërt në listën e Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër.

Ndonëse nuk është një person i njohur publikisht në radhët e socialistëve, ai është pjesë e kësaj partie që prej fillimit të viteve ’90. Duraj është një sipërmarrës i suksesshëm, me fokus të veçantë sektorin e arsimit të lartë, kryesisht atë profesional.

Një ditë pas zyrtarizimit të kanidaturës, ai ka postuar në faqen e tij në Facebook një mesazh të parë rreth angazhimit të ri që i është besuar nga PS.

Më poshtë postimi i tij i plotë:

Përshëndetje!

E ndjej veten shumë të privilegjuar që mes shumë qytetarëve të mi të denjë tepelenas, Kryesia e Partisë Socialiste dhe kryetari i saj, Z. Edi Rama, më përzgjodhën që të jem pjesë në skuadrën e shkëlqyer të qarkut të Gjirokastrës.

Një falënderim i përzemërt shkon për liderin e skuadrës, Z. Bledi Çuçi, për mënyrën e veçantë me të cilën më prezantoi para Jush.

Në vijim të këtij prezantimi, dëshiroj të flas pak për veten:

Jam lindur dhe rritur në Damës, Tepelenë, në një familje arsimtarësh. Ndoshta ka qenë shenjë e fatit që pjesa më e madhe e jetës sime është e lidhur ngushtë me arsimin. Prej mëse dhjetë vjetësh, fokusi im kryesor është arsimi i lartë, kryesisht ai profesional. Jam krenar që shumë nga studentët e mi sot janë profesionistë në fushat e tyre. Gjithashtu edhe bashkëshortja ime është pjesë e këtij sistemi, si pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës.

Po kaq krenar më bën fakti që prej më shumë se 24 vjetësh jam pjesë e familjes sonë politike, Partisë Socialiste, e cila gjithmonë ka ditur që mes vështirësive të sjellë progres në rrugën drejt SHQIPËRISË QË DUAM.

Që nga fushata e zgjedhjeve lokale të vitit 1992 deri në fushatën që kulmon në 18 Qershor, kam qenë gjithmonë pjesë e skuadrave me të cilat kemi arritur shumë fitore. E tillë do të jetë dhe kjo përballje elektorale!

Unë dua t’Ju siguroj të gjithëve Ju se përvoja ime e gjatë e këtyre viteve dhe energjitë e mia do të vihen çdo ditë, çdo orë e çdo minutë me përkushtim e pasion në funksion të fitores së plotë të Partisë Socialiste si e vetmja forcë drejtuese, e cila është e aftë të na çojë drejt SHQIPËRISË QË DUAM!