Lajm i mirë për Libohovën, pritet ndërtimi i ujësjellësit të ri. Investim rreth 2.5 milionë euro

Kryetarja e Bashkisë Libohovë, Luiza Mandi dhe drejtori i ujësjellësit, Aldi Sinani, kanë pritur në një takim drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, Alqi Bllako, për të biseduar mbi projektin e ndërtimit të një ujësjellësi të ri për Libohovën.

Aktualisht Bashkia Libohovë ka bërë gati një projekt për ujësjellësin e ri, ndërsa pritet vetëm miratimi i financimit nga qeveria. Paraprakisht vlera e investimet përllogaritet në mbi 2.5 milionë euro. Sipas njoftimit të shpërndarë për media nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, thuhet se Libohova do të ketë 24 orë ujë të pijshëm brenda vitit 2020.

“#Libohova2020 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi për 3.600 banorë. Alqi Bllako Drejtor i Përgjithshëm, AKUM Luiza Gogo Kryetarja Bashkisë Libohovë ekipi drejtues UK Libohovë diskutuan mbi investimet e nevojshme për ujësjellësin e Libohovës, për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm dhe me cilësi. Investimi i ri parashikon marrjen e ujit nga burimi Zhepës , ndërtimin e veprës e depos grumbulluese. Ky investim synon të garantojë 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi; ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, si dhe instalimin e matësave për çdo konsumator”, thuhet në njoftimin e AKUM.

Ky investim nëse do të financohet zgjidh përfundimisht problemin e ujit të pijshëm në Libohovë. Aktualisht Libohova ka një rrjet ujësjellësi të amortizua më shumë se 30-vjecar. Mbi 1200 banorë furnizohen me vetëm 1.5 orë ujë në ditë, ndërsa furnizimi mesatar shkon në rreth 4-5 orë ujë në ditë. Lidhje të paligjshme dhe përdorim ujit të pijshëm për vaditje është një tjetër problem që kërkon zgjidhje.

Kryebashkiakja Luiza Mandi e ka kërkuar këtë investim edhe gjatë një darke pune që pati fundjavën e shkuar me Kryeministrin Edi Rama në Gjirokastër. Gjasat janë që edhe ky projekt madhor për Libohovën të financohet nga qeveria njësoj sic u financua projekti i transformimit të qendrës, rruga e Bulos, rruga e Labovës etj.