“Lazarat ç’na bëre, na le pa punë”

Gra që punonin për shfletimin dhe përgatitjen e marijuanës në Lazarat
Gra që punonin për shfletimin dhe përgatitjen e marijuanës në Lazarat

“Lazarat ç’na bëre, na le pa punë”. Këtë frazë e të tjera të ngjashme me të i dëgjon shpesh këto ditë të nxehta gushti në Libohovë. Nëse gjërat do të ishin si një vit më parë, pas pak ditësh shumë gra libohovite do të nisnin punën sezonale në Lazarat, bashkë me të tjera nga Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe zona të tjera të largëta të Shqipërisë. Lazarati ishte deri një vit më i parë “ndërmarrja” gjigande në jug të vendit që punësonte mijëra njerëz.
Vetëm nga Libohova shkonin në ditë rreth 150-200 persona, kjo të paktën vihej re në autobusat e linjës Libohovë-Gjirokastër, të cilët mbusheshin plot, madje në shumë raste merrnin edhe përtej kapacitetit të tyre. Nga zgjimi herët në mëngjes, nisja në orën 7:00 dhe kthimi pasdite në orën 17:00, ishte një ritual i përditshëm nga fundi i gushtit e deri në fund të dhjetorit, në disa raste deri në muajn shkurt. Por s’janë vetëm gratë ato që “vajtojnë” Lazaratin. Edhe nëse pyet ndonjë tregtar, ndërtues apo zanatçi të zonës se si shkon me punë, do marrësh një përgjigje pak a shumë të tillë: “Punë mavria, që kur iku Lazarati morëm fund”. Eshtë e njëjta situatë edhe në Gjirokastër, Dropull e më tej. Me “rënien” e Lazaratit, edhe ekonomia e brishtë e jugut të vendit ka rënë ndjeshëm.

Mijëra njerëz që punësoheshin në fshatin, që mediat ndërkombëtare e cilësonin si “kryeqyteti europian i marijuanës”, sot janë të papunë. Të gjithë e dinin se një ditë Lazarati s’do të ishte më ai që ka qenë për gjithë këto vite, por ndërkohë punëtorët e tij të përvitshëm s’janë mësuar ende me realitetin e ri të krijuar pas operacionit policor.