Lazarati “kërcënon” PD-në: Bojkotojmë zgjedhjet nëse na sillni këta kandidatë për deputetë

Ndërsa ende nuk janë publikuar listat zyrtare të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në qarkun Gjirokastër, mediat  vazhdojnë të publikojnë emra të përfolur apo të hamendësuar.

Sot Gazeta Shqiptare kishte publikuar një tjetër listë, ku për qarkun Gjirokastër jepte këta emra: Genc Ruli, Altin Como, Eshref Shehu, Theodhoraq Vangjeli, Bexhet Cobani, Shemsho Lamaj, Agron Basha, Bujar Kapllani, Xhevahir Kanani, Vehip Cela, Hatixhe Qëndro, Arben Dosti, Shahin Sheme dhe Edmond Komnino.

Reagimet për listën nuk kanë munuar as në Lazarat, fshati që njihet si bastion i demokratëve dhe ndoshta “kështjella” e fundit e PD-së Gjirokastër. “Fshati Lazarat”, një prej faqeve më të ndjekura në Facebook nga banoret e Lazaratit, teksa ka shpërndarë listën e publikuar nga Gazeta Shqiptare shkruan: “Nëse emrat e publikuar nga Partia për qarkun e Gjirokastrës janë ata që janë në foton e mëposhtme atëherë ne si komunë ose njësi adminstrative do bojkotojmë”.

Ndonëse nuk mund të merret si mendim përfaqësues i gjithë fshatit, ky reagim përmes kësaj faqe tregon në një farë mënyre çfarë pret Lazarati nga Partia Demokratike në listët e kandidatëve. Kërkohen kandidatura që janë jashtë njerëzve të njohur në Gjirokastër si klani i Genc Rulit, deputeti i cili që pas marrjes së mandatit në vitin 2013 nuk shkeli më në Gjirokastër.

Megjithatë kandidaturat e PD-së pritet të mësohen brenda javës së ardhshme. E sigurt është që Genc Ruli dhe shumë prej emrave që janë pjesë e kësaj liste të publikuar prej Gazetës Shqiptare as që nuk janë fare në llogaritë e Lulzim Bashës. Sot PD bëri një reagim ku hidhte poshtë raportimet në media për emrat e ministrave teknikë dhe kandidatëve për deputetë që do të jenë pjesë e listave.

/ArgjiroLajm.net/