Letër publike nga Luiza Mandi

Luiza MandiTë dashur miq,

Deri më tani kemi përfunduar fushatën, por jo përpjekjen tonë të përbashkët për t’i dhënë Libohovës qeverisjen që meriton. Në pak javë ne ia dolëm të zhvillojmë një fushatë qytetare, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Libohovë. Trokitëm në çdo derë, shtrënguam çdo dorë, për të prezantuar alternativën tonë dhe për të kërkuar mbështetje.

Unë besoj fort se ne e kemi vetë fatin tonë në dorë. Prandaj shpresoj që nesër do të jetë dita kur do të votojmë ndryshimin, kur do t’i japim jetë një modeli të ri qeverisje të Libohovës. Me këtë shpresë dhe përulësi dua të kërkoj votën tuaj. Kërkoj votën tuaj për të filluar, së bashku, një rrugëtim të ri. Libohova ka nevojë për një drejtim të ri, ka nevojë për drejtimin e duhur.

Kërkoj votën tuaj si mbështetje të planit tim për transformimin e Libohovës, por edhe si protestë ndaj atyre që në këto vite na keqqeverisën. Kjo nuk është Libohova që ne meritojmë dhe e kemi vetë në dorë për ta ndryshuar këtë gjendje. E gjithë fuqia jonë është vota. Prej saj buron e mira dhe e keqja. Prandaj, unë ju ftoj të gjithëve ta përdorim votën për të mirën, për të drejtën, për të ardhmen e Libohovës. Çdo votë bën ndryshimin, çdo votë i jep forcë fitores tonë të përbashkët.

Unë jam e bindur se libohovitët, nepravishnjotët, zagoritët, suhotët, bulotët, labovitët dhe gjithë banorët e bashkisë së re, nuk pajtohen me këtë situatë, nuk mund të tolerojnë më një qeverisje vendore në shërbim të një grupi të vogël njerëzish. Libohova s’mundet të jetë peng i interesave të ngushta të disa njerëzve. E kemi në dorë, që me votë në 21 qershor t’i themi mjaft këtij modeli, i cili e ka lenë Libohovën në vendnumëro.

Ndjej se duhet t’ju garantoj për diçka. Unë nuk kam fare ambicie politike, për të pretenduar poste të tjera në të ardhmen. Kjo ka rëndësi për të gjithë ju, sepse Bashkia Libohovë e drejtuar prej meje, nuk do të përdoret asnjëherë në funksion të ndonjë agjende politike. Bashkia Libohovë do të jetë një institucion model, që ofron shërbime më të mira për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim krahinor apo politik. Unë do të jem kryebashkiakja e të gjithëve, sikundër kam qenë mjekja e të gjithëve.

Ndryshimi, zhvillimi, e mira mund të vijnë vetem nga ne, njerëzit e thjeshtë dhe të lirë që e duam Libohovën, që duam t’i rrisim këtu fëmijët tanë, që e shohim këtu të ardhmen. Nëse ne do të bashkojmë mendjet, zemrat dhe votat tona në 21 qershor, ne mund të ndërtojmë Libohovën që duam. Ky është momenti që ne të gjithë së bashku të ngrihemi mbi çdo mosbesim, mbi çdo pesimizëm apo dyshim dhe të gjejmë forcë për ndryshimin e shumëpritur. Ne jemi shumica dhe jam e bindur, që do të vendosim vetë për të ardhmen tonë.

Uroj gjithë të mirat për ju dhe familjet tuaja.

Sinqerisht,

Luiza Mandi