Letra e 60-vjeçarit: Po vetëvritem, kam një grua kriminele dhe dy vajza që më urrejnë

litarAmanetet e shkruara në një letër prej një 60-vjeçari në letrën e lënë para se t’i jepte fund jetës, duke varur veten, kanë bërë që prokuroria të nisë hetim për “shkaktim vetëvrasjeje” ndaj bashkëshortes së tij. Bëhet fjalë për një vetëflijim të ndodhur në fund të muajit maj të këtij viti në qytetin e Patosit, kur Zoji S., 60 vjeç, banues në Tiranë kishte ardhur në qytetin e tij të lindjes për të tërhequr paratë e ndihmës sociale që kishte përfituar. Ai ka pasur disa muaj pa tërhequr paratë dhe ka mundur të marrë një shumë disi të konsiderueshme. Por në vend që të kthehej në Tiranë, ku jetonte me familjen e tij, bashkëshorten, Beharen, dy vajzat e rritura dhe djalin më të vogël në moshë, ai ka vendosur të shkojë në shtëpinë që kishte në qytetin e Patosit. Aty i vetëm, ka vendosur t’i japë fund jetës duke varur veten. Para se të kryente aktin fatal, shkruan sot gazeta Shqip, 60-vjeçari ka shkruar një letër, ku ka shprehur shkaqet e kryerjes së aktit, duke akuzuar bashkëshorten si shtysë të vetëflijimit. Madje, ai është kujdesur të lërë edhe amanetet e fundit. Ndërsa nuk i ka telefonuar askujt, është vetëvarur me një litar në banjën e shtëpisë së tij në Patos, ku nuk kishte harruar të mbyllte mirë me çelës edhe derën e jashtme.

Gjetja e viktimës

Nga burime të prokurorisë mësohet se ka qenë bashkëshortja e tij, Beharja, ajo e cila ka denoncuar zhdukjen. Pasi janë verifikuar të gjitha vendet e mundshme, më datë 29 maj 2014, hetuesit kanë shkuar në shtëpinë Zojit në qytetin e Patosit dhe kur kanë hyrë brenda, e kanë gjetur të pajetë 60-vjeçarin. Sipas burimeve, dyshohet se ai mund të jetë vetëvarur rreth katër ditë para se të gjendej. Gjatë këqyrjes së ambienteve të shtëpisë, oficerët e policisë kanë gjetur një letër, në të cilën 60-vjeçari kishte sqaruar edhe shkaqet e vendimit të marrë për t’i dhënë fund jetës.

Letra e 60-vjeçarit

“Po i jap fund jetës, pasi më ra në pjesë një grua kriminele dhe dy vajza që mësuan të më urrenin. Nuk mund të jetoj më në këto kushte, është e papërballueshme, sepse ma kanë nxirë jetën. Po vendos t’i jap fund jetës, por i lë amanet motrës që të kujdeset për djalin. Këtu, bashkë me letrën po ju lë edhe paratë që duhen për arkivolin tim dhe shpenzimet e varrimit”. Kështu mësohet të ketë shkruar në letrën e lamtumirës 60-vjeçari, i cili ka lënë pas një provë që implikon bashkëshorten e tij, Beharen, për shkaktim vetëvrasjeje.

Hetimet e kryera

Sipas burimeve, bashkëshortja e viktimës ka shprehur para hetuesve dyshimet e saj rreth shkaqeve që mund ta kenë çuar 60-vjeçarin në marrjen e këtij vendimi fatal. Mësohet se ajo ka pohuar se Zoji vuante nga hepatiti i tipit B dhe se ishte disi i rënduar edhe psikologjikisht për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. “Ndërkohë, ajo ka pohuar se pasi Zoji nuk i është përgjigjur në telefon, ajo ka telefonuar motrën e viktimës që jeton në qytetin e Fierit dhe e ka pyetur mos kishte marrë kontakt me të. Ndërsa më pas ka pretenduar se ka telefonuar edhe bashkëshortin e motrës së saj që jeton në Patos, por edhe ai nuk ka ditur gjë. Në këto kushte, ajo ka shkuar vetë në Fier dhe ka kryer denoncimin për zhdukjen e bashkëshortit”, pohojnë burimet e akuzës. Të njëjtat burime theksojnë se bazuar në letrën e lënë prej viktimës ka nisur procedimi për shkaktim vetëvrasjeje dhe se do të pyeten të gjithë të afërmit e çiftit për të konkluduar në vërtetësinë e atyre që ka shkruar 60-vjeçari. Sipas grupit hetimor, nëse të afërmit dhe fqinjët e çiftit do të konfirmojnë atë që ka shkruar viktima, atëherë Behare S. do të merret e pandehur për shkaktim vetëvrasjeje./Noa