Libohova ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet

DSC01707.jpgNga Elvis Tosuni

E shkuara e Libohovës? Pa asnjë dyshim më e mirë se e sotmja. Ka shumë pika të errëta dhe shumë pak të dhëna të shkruara e të dokumentuara, por është fakt që zona është banuar herët. Libohova u ngrit mbi bazat e një familje të pasur dhe me influenca të mëdha. Ishte kjo familje ajo që përcolli në breza traditën e një qyteti i cili për fatin e keq e ka humbur rëndësinë që dikur i kushtonin si instancat qëndrore, ashtu dhe organizimet individuale. Libohova jetoi një kohë të gjatë suksesi dhe lavdie e cila u karakrerizua nga një rimëkëmbje ekonomie në shumë faktorë të saj siç ishin, blektoria, buqësia, artizanati, tregëtia. Paralelisht me këtë zhvillim të qëndrueshëm dhe të vrullshëm u hodhën bazat e arsimit në Libohovë. Veçoritë klimaterike të Libohovës e bënin atë një qëndër të vizitueshme nga të gjithë pasanikët e jugut të cilët gjenin në ambientin libohovit kushte optimale, që ju përshtateshin nivelit te tyre të lartë ekonomik. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore Libohova pati rënie dhe, një pjesë e libohovitëve nuk mundnin më t’i plotësonin nevojat e tyre, kështu që zgjidhja më e afërt ishte imigrimi.

Ishte një periudhë e pasigurtë ajo që i tundi disi themelet e këtij qyteti të ri, por pavarësisht këtyre ekuilibrat e banorëve mbetën miqësore. Periudha e Monarkisë e vlerësoi Libohovën duke i dhënë statusin e nënprefekturës. Në këtë periudhë në jug të vendit ishin të rralla qytetet që barazoheshin me shtrirjen, numrin e popullësisë dhe zhvillimin ekonomik të Libohovës. Lufta e Dytë Botërore ishte një katastrofë e vërtetë për të gjithë Europën dhe për Shqipërinë. Libohova i humbi ekuilibrat dhe në vitet 1943-1944 ,lufta vëllavrasëse, e bëri Libohovën një arenë luftrash e mërish, që s’na u ndanë deri në ditët e sotme.

Periudha e kominizmit e transformoi Libohovën në një vënd për të ardhur keq. Lufta e klasave i bëri familjet libohovite armike, fenomen që nuk ishte parë kurrë në të shkuarën. Megjithatë tradita e miqësive midis familjeve, frenoi në një farë mase edhe veprimtaritë ekstreme të një kategorie të indokrinuar keq nga ideologjia komuniste dhe kryesisht të një kategorie njerzish të paforumuar të paaftë që kërkonin revansh për të kaluarën e tyre mizerabël për shkak të pazotësisë dhe paaftësisë së tyre. Kështu e gjetën Libohovën vitet 80, në një fukarallëk, që përzier me luftën e klasave, e çoi qytetin tonë buzë greminës.

Sidoqoftë libohovitët nuk u ndalën nga e keqja që i kishte kapur, po falë traditave të tyre të trashëguara u “hodhën në sulm” kundër fukarallëkut, dhe arritën që me punë të ndershmë të rindërtonin shtëpitë dhë ta merrnin veten. Kur thanë se shpëtuan nga ajo diktaturë, që po të kishte vazhduar dhe ca do ja u kishte “marrë shpirtin” të gjithëve, që ditët e para pas viteve 90 u formuan grupimet e para politike, të cilat u shëndruan në grupime të mirëfillta interesi, ku midis tyre filloi edhe një luftë e re klasash. Në partitë opozitare u rreshtuan kryesisht ata që kishin vuajtur persekutime e dënime, pavarësisht se midis tyre kishte plot spiunë të fshehtë që i kishin shërbyer atij regjimi famëkeq.

Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e madhe, dhe sot Libohovitët janë më të zhgënjyer se kurrë, nga drejtuesit, të cilët bëjnë një luftë të paprinciptë thjesht për interesa të ngushta. Për të ardhur keq është edhe përfshirja e shumë individëve të cilët krijojnë grupe mbështetëse thjesht për ndonjë interes të vogël. Libohova sot është ajo që duket, e lodhur dhe me halle. Nëse ka ndryshuar diçka në pikëpamjen vizuale, është meritë e secilit i cili me mund e djersë mundohet të rregullojë familjen e shtëpinë. Pushteti vendor duhet të jetë shumë herë më afër për t’i krijuar libohovitëve kushtet më minimale.

Pa u zgjatur, “thembra e Akilit” në Libohovë janë, mungesa në punësim, infrastrukturë, pamjaftueshmëria e burimeve kryesore të jetës dhe një mosbesim i skalitur se e ardhrmja nuk po sjell shpresë. Libohova ka pasur dhe ka plotë resurse natyrore, në të cilat po të vihet dorë, dhe të investohet, e bëjnë Libohovën vërtetë një ” Perlë të Jugut”. Por kjo shprehje është e hidhur, kur sot, Libohovës po i “rrëshqet balta nën këmbë”. Vërtet që s’është e lehtë të rimëkëmbet një vend me shtrirje kaq të gjerë sa Libohova, mbasi duhen projekte të detajuara dhe fonde të mëdha monetare, por në radhë të parë Libohova ka nevojë, për një ekip drejtues të zhdërvjellët, të qartë në idenë dhë detyrën e tyre, të pasionuar dhe të kultivuar me cilësitë e një administratori të rregullt dhe premtues dhe mbi të gjitha ta duan Libohovën dhe libohovitët. Eksperiencat e deritanishme lënë për të dëshiruar. Të shpresojmë ditë më të mira për të ardhmen dhe pse jo sikundër nuk kemi pasur besim deri dje, ndoshta duhet të krijojmë besim se çdo synim i mirë mund të arrihet, me bashkëpunim, komunikim i drejtpërdjejtë, me mbështetjen e të gjitha forcave dhe sigurisht duke gjetur kohën për të marrë në konsiderat ato që të tjerët na vënë në dukje se nuk po i bëjmë si duhet.