Libohova në karantinë, ndihma ushqimore për familjet në nevojë

Ndihma për familjet në nevojë po shpërndan edhe Bashkia Libohovë në këto ditë karantinimi. Kryebashkiakja Luiza Mandi publikon foto në faqen e saj në Facebook dhe thotë se do të vazhdojë t’u gjendet pranë këtyre familjeve derisa të dalim nga gjendja e emergjencës.

“Në këto ditë të vështira të izolimit për shkak të pandemisë së Covid-19, jemi duke shpërndarë pako me ndihma ushqimore për rreth 150 familje në nevojë të Libohovës. Kontribut nga buxheti i bashkisë, donacione të bizneseve dhe deputetëve Çuçi e Kumbaro. Do të vazhdojmë t’u gjendemi pranë atyre dhe pensionistëve që jetojnë të vetmuar derisa ta fitojmë përballjen me këtë të keqe që na ka mbyllur brenda prej një muaji. Ju lutem respektoni masat kufizuese dhe kujdesuni për higjenën personale. Gjithë kjo sakrificë që kemi bërë deri më tani nuk duhet prishur me asnjë çmim. Me durim do të dalim faqebardhë e më të fortë nga kjo luftë”, shkruan Mandi.