Libohova një ditë pas feste

001Një natë më parë, në qendër të Libohovës nuk gjeje kollaj vend parkimi. Bizneset, sidomos baret dhe restorantet, kishin punë më shumë se zakonisht. Festa e përvitshme tradicionale i ktheu Libohovës gjallërinë dhe sikur e “shkundi” disi nga e përditshmja e qetë. Sot qyteti iu rikthye rutinës. Në pazar kishte po aq njerëz sa edhe zakonisht, kishte po aq ndriçim sa jemi mësuar të shohim këto kohë.

Me javën e fundit të gushtit ikin edhe emigrantët e ardhur enkas për festë, ikin ata që jetojnë në qytete të tjera të vendit, ikin edhe pushimet. Festa e përvitshme është një ngjarje e rëndësishme për Libohovën, pasi bën bashkë në një natë të vetme shumë njerëz që në rrethana të tjera s’u bie rasti të takohen. Në kushtet kur gjatë gjithë vitit jeta kulturore është e vakët, kjo festë merr akoma më shumë rëndësi.

Ka pak vite që ka nisur organizimi i këtij eventi, i cili duhet vazhduar si traditë edhe në të ardhmen, pse jo të mos pasurohet më tej. Mbrëmë Libohova festoi deri në orët e para të mengjesit dhe përtej përshtypjeve të gjithësecilit, për organizimin apo ndonjë episod të pakëndshëm, nata e shkuar duhet të arkivohet në memorien e libohovitëve si një tjetër kujtim i bukur, si një tjetër mbrëmje e paharruar gushti. Vjeshta po vjen vrullshëm, me përgatitjet për vitin e ri shkollor, me stresin e maturantëve për studimet e larta, uljen e temperaturave, punët e stinës dhe gjithçka tjetër që ofron përditshmëria në Libohovë.