Libohovë, 34-vjeçari kallëzohet në Prokurori. Falsifikoi dokumentet për numrin me kontratë të një 49-vjeçari nga Nepravishta

Një 34-vjeçar nga Libohova është kallëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës nga një person tjetër banues në Nepravishtë.

Shkak i konfliktit të tyre është një numër me kontratë, të cilin në vitin 2013, shtetasi nga Libohova e kishte kaluar në emër të një 49-vjeçari nga Nepravishta, i cili rezulton debitor në kompaninë e telefonisë celulare.

Siç njofton seksioni kundër krimit ekonomik dhe financiar në policinë e Gjirokastrës, 34-vjeçari nga Libohova e ka kryer këtë veprim duke falsifikuar dokumentet.

“Më datë 06.11.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për shtetasin B.Ç, vjeç 34, banues në Libohovë, pasi dyshohet se në vitin 2013, numrin e  telefonit me kontratë në një kompani celulare, e ka kaluar në emër të shtetasi P.Sh, vjeç 49, banues në fshatin Nepravishtë, duke falsifikuar dokumentet dhe duke e bërë debitor në kompaninë celulare. Neni 186 i Kodit Penal”, thotë policia e Gjirokastrës përmes një njoftimi për media.