Libohovitët e Gjirokastrës në vitet 1970

Nga Osman Buzo

Kur mbërrita në Gjirokastër viteve 1970, një shprehje humoristike e gjeta të ulur këmbë kryq në qafën e pazarit e kudo sokakëve të qeshur. Disa thoshin: Ishin di gjirokastritë e nuk ngrinin dot një thes me kashtë ,vajti një libohovit e u tha : zbrazeni ta ngremë bashkë. Kurse disa të tjerë thoshin të kundërtën: Ishin dy libohovitë, që s’ngrinin dot thesin me kashtë. Ngado që ta ktheje, kjo shprehje ishte si një gunë me lesh dhie pa astar, që vishej nga të dy krahët, sepse atje gëlonte jeta dhe romuzet krijoheshin nga ndodhitë prej personazheve të shumtë.

Mes tymit dehës të qofteve e të cingaridheve, që parfumosnin katër rugët e qafës së pazarit, lëvrinin frymorë jo vetëm nga fara njerëzore, por edhe kafshë të ngarkesës, që karvanjarët i shfrytëzonin për kuaj fuqitë e tyre, për të fituar jetesën . Më në hall ishin hamejtë, si Teme sazexhiu me shokë, që me samar prej xukthi e kashte në kuriz, gjuanin për ndonjë ngarkesë të vështirë , sokakëve të ngushtë, ku mezi kalonin dhe mushkat.

Nga mejhanet derdheshin kalldrëmit, melodi labce gjirokastrice e ndonjë klarino me të qarë. Në berberanat e shtuara kalimtarët, mbanin radhën për tu qethur . Berberi të qethte vetëm kare , anët dhe më pak bode, se leshrat e gjata nuk lejoheshin, të hiqnin veshin, ata ta partisë. Në mbarim, të qethurit hanin nga një dackë të lehtë pas koke, shoqëruar me fjalën “me shëndet “teksa zbrisnin nga karrikja rrotulluse dhe të qeshurat zbrisnin rugës derë më derë, gjer tek sheshi i Cercizit. Dikush nga berberët ishte dhe kirurg e bënte synet djemtë muslimanë. Klimë më gazmore s’kishe ku të gjeje, si në qafë të pazarit. Nivele të tjera qytetarësh, arsimtarë, juristë e zyrtarë kalonin seriozë e kthenin shikimin te libraria e Alizot Emirit, për të parë ndonjë kopertinë të re libri.

Alizoti i peshkonte ata me një shikim dhe i fuste brenda ne librari, ku sajoheshin barcoleta dhe romuze të këndëshme. Ai ishte i pasur mendërisht se lexonte libra, për tua servirur blerësve dhe e kishte kthyer librarinë në një dritare nga dukej më mirë bota e pasur gjirokastrite. Atje më ngeleshin edhe mua sytë e kur kisha ndonjë lek,libra i bleja.Gjithë ato stoli të qafës së pazarit i shijoja për herë të parë .

I vetëm në atë qytet ,me dyqane , dikur “ hane” , hotel zagoria , hotel sopoti e taverna, isha thirur edhe unë për të ndihmuar ne ngritjen e istitucioneve kulturore shtetërore në qytetin me 25 000 banorë të gjirokastrës. Unë dhe gjirokastra po kënaqeshim me njeri tjetrin, po ku ishin ata ,libohovitet e mi që bashkë me gjirokastritët, kishin krijuar atë legjendë Homerike gjith harmoni ,të thesit me kashtë .?Në “Kroniken Argjirokastro” citojmë: Në 565 Visigotët …shkatëruan Onhezmin( Saranden) dhe Druinopolin dhe “Argjiri libatonios, ngriti i pari një kala mbi shpellë”.. tani më do të përballeshin me qindra kështjella të vogla që lindën në rëpirat e malit të gjerë, reth kështjellës së madhe , që ngjan si një kryqëzor.

Duke e bërë cdo shtëpi si një kala të vogël, me mure të lartë, me stera ujëmbajtëse, me depo drithi , për të duruar rrethime të gjata ,aty do të linin kokat kush do të guxonte, pas asaj që ndodhi me rënimin e qytetërimeve të luginës së Drinos. Kësisoj dy qytetet mund të jenë nënë e bijë. Pra libohovitet ishin atje që në krijimin e Gjirokastrës.Në kodrën si një skenë natyrale, ishte ngritur pallati i kulturës.Ai dominonte mbi lagjet e vendosura kuriz më kuriz, per ti treguar gjoksin erës.Atje mu zgjat dora e ngrohtë e libohovitit Muharem Bejleri i cili drejtonte jetën artistike të qytetit. Ai kishte studjuar në Hungari dhe ishte një kuadër i formuar.

Për disa vjet drejtoi Gjimnazin Asim Zeneli, seksionin e arsimit , por u shqua më shumë si drejtor i trupave artistike profesioniste,Teatrit ,Estradës ,Teatrit të Kukullave cirkut dhe mund të quhet “ babai”i këtyre organizmave kulturore. Me erudicionin e tij ai ishte i njeriu i duhur për gjirokastrën dhe krenari për Libohovën. Kur drejtoi për disa vjet shkollën e Lazaratit, ngriti nivelin e mësimdhënies dhe bëri që ai fshat të përparojë, duke nxjerë breza të shkolluar.Një nga shakatë e tij për të goditur injorancën ishte shprehja “Ky ,Kjo vuan nga qafa e lart”Muharemi kishte grua Dhurata Jusufatin, mësuese dhe edukatore që e donin fëmijtë.

Nxënësit e saj , njeri nga të cilët jam dhe unë ,krijuam një respect për qetësinë e saj , durimin, të qeshurën dhe mënyrën e përsosur didaktike që të hapte sytë e të largonte nga injoranca . Cifti solli në jetë dy djem me kapacitet, njeri nga të cilët drejton një korporatë në ishujt filipine tjetri në greqi.Te kodra kulturore afër qafës së pazarit ishte vendosur dhe kinemaja e qytetit, dikur prefekture e sot gjykata e Apelit. Atje ishte drejtor Maliq Comua .Tenori i shquar i Estradës profesioniste, kishte kënduar shumë vjet me zërin e tij brilant. Dikur oficer kariere, ai më shumë njihet si solist , që ka marë cmime dhe në festivalet kombëtare .Për të Shoqata “Avni Rustemi” organizoi aktivitet kulturor te rrapi i Libohovës për ta nderuar me Cmimin “Andon Zako Cajupi” nga bashkia Gjirokastër.Është për tu vlerësuar, se kjo familje i dha qytetit të Gjirokastrës Prefekten Mimoza Como, Gruaja e Lolit djalit të Maliq Comos. Njerëzit tanë të thjeshtë si e vërteta jepnin frymë kulturore, motiv për jetën .

Isha emëruar aktor në teatrin e sapo krijuar ,ndersa kisha 7 vjet që debutoja nëpër skena koncertore ,nga Tirana , në Tepelenë e kudo ne aksionet e rinisë e reparte ushtarake Pas dy vjetësh Aktor Teatri ku luajta në katër premjera , unë O. Buzo drejtova si “Regjisor” për 40 vjet teatrin e kukullave gjirokastër,fitova “Cmimin Karrierrës” duke dhënë mijëra shfaqje në Shqipëri ,me skenografë, piktorin e shquar Vaso Lilin me nënë Libohovite ,Gori Kostaqin , Jorgo Micin e Mihal Andrucon.Në trupën amatore luante dhe libohoviti Vladimir Ruli ,djali i Baftjar Rulit ish Kryetar i qytetit Libohovë.

Duhet thënë se Baftjari kishte kontribut në Gjirokastër si drejtor i Fabrikës së duhanit viteve 1960. Në brendësinë e tij nuk jetonte vetëm kultura e fituar nga qënia “ Partizan”por ai lexonte dhe ishte mik i librit.Tek qafa e pazarit, afër obeliskut,një Libohovit tjetër ,Dr:StefanAleksi,drejtonteLaboratorin,mikrobiollogjik të qytetit.Përkushtimi i dr. Stefanit ishte maksimal dhe analizat që delnin nga ai laborator, ishin me besueshmeri të lartë se shpëtoheshin jetë njerëzish. Me Propolisin e krijuar nga dylli i bletëve ai shëronte djegjet e shkallëve të ndryshme me shumë sukses.Personazhi që më nxiti të shkruaj për këta njerëz te ditur të libohovës është doktori im i dhëmbëve Demir Kumbarua, që sot jeton në Toronto, të kanadasë.Në Tiranë, dentisti tjetër Libohovit Dr Shahin Joka, biri Bardhyl Jokës duke parë dhëmballën e mbushur,para 50 vjetësh nga Demiri u habit për cilësinë e mbushjes.

Unë u mbura me të dy miqtë që u kisha besuar dhëmbët se goja është porta e njeriut.Titin Kumbarua lindi në libohovë në 1904. Ai ishte mjeshtër, bahcevan pas luleve dhe pemëve . Ai krijoi në qytet një traditë për dashurinë ndaj kopshtarisë dhe për këtë nuk ja kaloi njeri në qytet. Kur i erdhi mosha Titini u martua me Mihrimanë , amvisë, puntore, nënë e mire, por dhe e bukur. Ata lindën tetë fëmijë ,gjashtë vajza e dy djem, njeri më i lezetshëm se tjetri.Zana mësuese,Liria mësuese, Demiri dentist,Hatemi mësuese,Begatia mësuese, Violeta robaqepse, Vera shitëse, Pëllumbi Inxhinjer elektrik.

Pëllumbi është shoku im i klasës, që në shkollën Avni Rustemi dhe eshtë paisur me cilësi të mirësisë dhe dashurisë për komunitetin . Fëmijtë e xha Titinit janë si lulet që ai mbolli vetë dhe ndofta mirësia e tyre e shpëtoi dhe nga kampet naziste ,ku ishte internuar, gjat luftës. Demiri në 1956 kryejti shkollën për dentist dhe u emërua në Berat ku punoi një vit .Pas ushtrisë në Tiranë ,në 1959 u emërua në Gjirokastër dhe në 1962 dy vjet në Libohovë . klinika dentare te kullat e beut, ishte vendi ku ai u bë shumë i kërkuar nga qytetarët libohovitë. Më pas atje punoi dhe dentisti suhot Thoma Dhima ,shoku im i klases .

Në 1964 është dentist në Vrisera dhe nga 1970 e deri sa doli ne pension shërbeu në qytetin e Gjirokastrës në klinikën shtetërore ku shërbenin,Jorgo Buka,Ymer Sinoimeri , Bakiu, … Hajrua …..etj. U ula disa herë te kolltuku rotullues në klinikën e tij, për dhëmb e dhëmballë dhe ai më mbulonte me shikim të ngrohtë dhe unë i thasha – nuk më dhëmb më shkoi. Jo -thoshte ai – të pushoi nga frika se erdhe si cjapi te kasapi. Ja hape gojës, mirë mirë.- Ai të shëronte , me pamjen e tij fisnike , qetësinë profetike e të qeshurën plot sinqeritet.

Kur doli në pension , unë shkoja te klinika private në shtëpinë e tij në mecite ku ai shërbente me përkushtim. U shpërndamë në vitet e demokracisë dhe kemi mall për të shkuarën . Në Toronton e ftohte , ku jeton, ai shkrin akujt me mirësinë e tij. I martuar me mësuese Ferasetin ,ata janë një cift famoz për qytetin e gjirokastrës dhe kanë sjellë në jetë Liljanën, aktoren simpatike të teatrit qytetit dhe Dritanin , që shtegtoi ne Kanada për një jetë më të mirë .Ai ishte present në aktivitetet e shoqatës “A.Rustemi” që bëheshin në Teatrin Dorian dhe meriton nderim te vecante për veprën e tij humane.I shërbeva komunitetit Libohovit mbi dhjetë vjet si kryetar i shoqatës “A.Rustemi “dega gjirokastër dhe kostatova se janë qindra familje nga qyteti ynë.

I zgjova , i afrova me njeri tjetrin, i bashkova në festa e gëzime bashkë me shoqatat e tjera simotra dhe ndjeva peshën e njerëzve tanë në Gjirokastër.Ata të paisur me kulturë, besë ,tradita dhe dinjitet njerëzor janë shembullorë. Jani Rafti,agronomi që ka drejtuar dhe ndermarjen bujqësore atje, është sot Kryetar i shoqatës A. Rustemi dega gjirokastër.Vëllezër e motra të tij,në greqi e amerikë ,bij e bija të Vasil Raftit,i gjënden vendlindjes në dimër e në verë , në dasma e gëzime. Klarineta e Xhorxhi Raftit ri zgjuar e na fton në valle pa fund, duke na i bërë kufijtë simbolikë atje në skajin jugor ku mbruhet dashuria vellazërore me greqine fqinje. Familja Diamanti ,Kristua dhe Angjelina jane pa dyshim një shembull i lartë i kontributit njerëzor në atë qytet.

Angjelina Rafti Diamanti u largua shpejt nga jeta duke lënë një detyrë prestigjoze si drejtoreshë shkolle me një kapacitet të admirushëm Kristua me modestinë e tij nuk e fsheh dot shkëlqimin që ka patur si ekonomist nga më të mirët në jugë, që i jepte zgjidhje sipërmarjeve të mëdha në N.SH.N e gjetkë. Ai bashkë me Inxhinerin Jorgo Deliu , ishin nga kuadrot më të suksesshëm në ndërmarjen e ndërtimit dhe puna e tyre matej me pallate të ndërtuara, me familje të akomoduara në shtëpi te reja, që ndaheshin nëpërmjet Komiteteve Egzekutive e Kryesive te Lagjeve. Vëllai tjetër,Thimjo Diamanti,bij të “usta” Jani Diamantit nga lagja Cuprel libohovë , shërbeu si teknollog në ndërmarjen ushqimore ,pije alkolike , konserva e bulmetra.

Në ndërmarjen buqësore Muzo Asqeri, punoi dhe piktori dizenjator Gani Buzo,me emulacionin socialist,të kohës, por dhe me Piktura, në ekspozitat e lidhjes së artistëve.Thoma Muzina nga istruktor, drejtor ndermarjeje, në kryetar i bashkimeve profesionale të rrethit. Ekuilibrus , e dashamirës për të gjithë sidomos për Libohovitet. Ai bashkë punonte me Aristidh Panon ,ekonomistin e N.P.A dhe njeriun humanist që bënte mirë vlerësimin e djersës së puntorëve. Këtu është vendi të përmendim vëllain e shefit Aristiodh, mjeshtrin e mekanikës Mihal Panon , që e mbylli veprimtarinë e tij në ndermarjen e ujërave ,ndërsa shoqja e tij Firdes Rustemi punonjëse e fabrikës së cigareve në qytet. Kjo grua nga komuniteti jonë, është shëmbull i harmonisë bashkëshortore, një model i përsosur për një familje të shëndoshë, një martesë midis feve të ndryshme( i krishteri me muslimanen) .

Nuk mund të harohet oficeri Emin Kumbaro, inisiatori , i krijimit të shoqatës Avni Rustemi dega gjirokastër dhe Ali Rustemi nga njerëzit e afërt të Avni Rustemit emri i të cilëve,respektohej nga gjithë komandat, por dhe nga rezervistët si modele te oficerëve në mbrojtje të atdheut. Të dy këta komandantë të ushtrisë ishin në krye të aktiviteteve të shoqatës Avni Rustemi. Në lëmin e drejtësisë që është një nga profesionet,trashëguar nga kadilerët libohovitë ,Bujar Xhaxhua dhe Kostandin Gramnatikoi, njeri Noter dhe tjetri avukat, vlerësohen nga klientët e tyre, se nuk kanë shkelur ligjin por kanë mbrojtur të drejtën edhe atehere kur të tjerët u shitën në tregje të pista.

Në pamundësi të përmënd dhjetëra e qindra të tjerë nga komuniteti jonë ,po ndaloj te istitucioni më i lartë i dijes në Gjirokastër te universiteti Eqerem Cabej ku do përmend Sokrat Gjinin petagog e përgjegjës katedre i përkushtuar dhe në finale më duhet të përmend rektorin e parë të Universitetit të gjirokastrës Z.Muzafer Asllani. Ai është emri që bashkon Libohovën me Nepravishtën dhe në gjykimin tim është nga njerëzit e shquar të arsimit shqip në jugë.Familja e tij i dha qytetit Kryetarin e bashkisë Gjirokastër Ylli Asllanin, i cili është ndjerë si pjesë e komunitetit libohovit dhe ka qënë midis nesh. Pas gjithë kësaj galerie personazhesh, po ndaloj tek shprehja e fillimit të kësaj parade ku parakaloi një pjesë e kominitetit tonë të armatosur me dije e kuturë .

Gjirokastra është një amerikë e vogël .Atë e populluan gjithë krahinat me kontribut të përbashkët dhe bënë një qytet Cudi ku shtëpitë i janë qepur shkëmbit reth kalasë ,si dhi plot qumësht, që presin të milen nga turistët e racës njerëzore . I shërbeva komunitetit Libohovit mbi dhjetë vjet si kryetar i shoqatës “A.Rustemi “dega gjirokastër dhe kostatova se janë qindra familje nga komuniteti jonë. I zgjova, i bashkova në festa e gëzime bashkë me shoqatat e tjera simotra dhe ndjeva peshën e njerëzve tanë në Gjirokastër.Ata të paisur me kulturë, besë ,tradita dhe dinjitet njerëzor janë shembullorë. Qyteti ynë shtet formues, Libohova e kadilerëve, bejlerëve ,ministrave, kryeministrave i dha shqipërisë dhe një president Bujar Nishanin ,duke faktuar potencën . Pra ishin di gjirokastritë nuk ngrinin dot një thes me kashtë, vajti një libohovit e tha zbrazeni ta ngremë bashkë. Ose ishin di Libohovitë , nuk ngrinin dot një thes më kashtë, vajtën di gjirokastritë e zbrazën që ta ngrënë bashkë .Le te gëzojmë se toku Libohovitë e Gjirokastritë.

Gëzuar 2017!
Nga Regjisori Karrieres, Osman Buzo

Tiranë 23 nëntor 2016