Linja të reaja autobusi me Greqinë, marrëveshje dypalëshe për transportin e udhëtarëve

Kufiri-i-KakaviseGreqia dhe Shqipëria kanë përfunduar marrëveshjen për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve.

Kuadri ligjor u diskutua për dy ditë me radhe në kryeqytetin grek, Athinë ku ekspertë të dy Ministrive të Transportit u takuan për krijimin e legjislacionit të ri që pritet të hyjë në fuqi së shpejti.

Sipas kryetarit të komisionit shqiptar, Arjan Korpa të dy palët diskutuan lidhur me krijimin dhe modernizimin e bazës ligjore për transportin ndërkombëtar të udhëtareve dhe reformimin tërësor për nga cilësia të këtij sektori.

Korpa tha se komisioni shqiptar kërkoi përshtatjen e legjislacionit me realitetin e ri dhe unifikimin e tij me vendet e Bashkimit Europian. Ai duhet të modernizohet dhe të vendosë rregulla të qarta në këtë sektor, duke rritur cilësinë e shërbimit, por edhe duke zvogëluar  informalitetin e lartë që ka zaptuar atë.

Sipas Korpas, marrëveshja me palën greke bëhet në mbrojtje të operatorëve shqiptarë. Ajo rrit cilësinë e shërbimit dhe hap rrugën për marrëveshje edhe me vendet e tjera të rajonit.

Pakti është në kuadër të reformimit të transportit ndërqytetas dhe atë ndërkombëtar,të njoftuara prej Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto pak kohë më parë. Të dy palët, ranë dakord që të hapen disa linja të reja për shërbimin e autobusëve që lidhin Shqipërinë me Greqinë.

“Adresuam problemet që kanë operatorët shqiptarë në transportin e udhëtarëve. Takimi është shumë i suksesshëm. Jemi duke adresuar të gjitha cështjet që shqetësojnë operatorët shqiptarë për të përmirësuar shërbimin dhe mënjanuar problematikën që paraqet ky sektor dhe për të koordinuar të gjitha reformat e ardhshme për të pasur një bashkëpunim të frytshëm dhe për t’i shërbyer qytetarit që edhe ky sektor të mos vuajë në të ardhmen por të zhvillohet sipas standardeve dhe praktikave më të mira europiane”, deklaron Arjan Korpa, shef i Transportit Rrugor në Ministrinë e Transportit./TCH