Linja urbane Libohovë-Tiranë, reagon Luiza Mandi: Do të bëj cdo përpjekje që të rikthehet, kam patur takime në Ministrinë e Transporteve. Kjo linjë i shërben Libohovës

Nga Luiza Mandi

Kam ndjekur me shqetësim të madh këto ditë debatin e krijuar për çështjen e linjës së transportit urban Libohovë-Tiranë dhe anasjelltas. Më vjen mirë që shoferët e kompanisë “Argjiro” më “akuzojnë” se kam shkuar në Ministrinë e Transporteve për t’u interesuar për këtë çështje. Po, është e vërtetë, kam shkuar disa herë dhe do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje institucionale si kryebashkiake që kjo linjë të jetë funksionale konform çdo ligji dhe konkurrencës së ndershme në treg.

Të adresoj për zgjidhje problemet e banorëve që më kanë votuar, e kam detyrim moral dhe ligjor, prandaj jam në këtë funksion. Si në në çdo rast tjetër edhe kësaj radhe janë thënë plot të pavërteta nga ata që shpifjen s’e kanë për gjë, nga ata që as s’kuqen dhe as verdhen. Bashkëshorti im nuk është aksioner në kompaninë që ka këtë linjë.

Kjo është lehtësisht e verifikueshme, bashkë me emrat e atyre që kanë licencat. Ata që kanë dalë të bëjnë gazetarin, edhe kur janë marrë me qira nga partia, minimalja duhet të kontrollojnë faktet përpara se të zgjidhin gjuhën me shpifjen e radhës. Licencën për linjën Libohovë-Tiranë nuk e kam dhënë unë, nuk e ka dhënë Bashkia Libohovë dhe as kam fuqi për ta tërhequr ose rinovuar. Për më tepër ajo është një licencë e ligjshme. Kush thotë që është licencë e paligjshme, gënjen.

Kjo linjë është në interesin e Libohovës dhe ka mjaftueshëm fluks udhëtarësh për të funksionuar. Natyrisht që në çdo rast kur kjo linjë abuzon me ligjin apo shkel parimet e konkurrencës së ndershme në treg, institucionet shtetërore kompetente për këtë punë kanë të gjithë autoritetin të veprojnë. Unë s’jam duke mbrojtur paligjshmërinë dhe s’do ta bëja kurrë këtë gjë, por vlerësoj se në çdo rrethanë linja Libohovë-Tiranë duhet të jetë funksionale, pavarësisht se cili subjekt zotëron licencën.

Si kryebashkiake do të bëj çdo përpjekje, do të ushtroj çdo ndikim të ligjshëm që kjo linjë të jetë funksionale. Uroj dhe shpresoj shumë që zgjidhja të mos vonojë. Për këtë çështje kam patur edhe sot takim në Ministrinë e Transporteve dhe mbetem shpresëplotë se duke nisur nga java e ardhshme linja do të rikthehet në punë.