Lista e Gjirokastrës, njihuni me kandidaten që vjen përmes platformës “Deputeti që Duam”

Një prej emrave në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër është edhe Kjara Adhami. 27-vjeçarja është përfshirë në këtë listë përmes platformës “Deputeti që Duam” si shumë kandidatë të tjerë që iu përgjigjën thirrjes së PS-së. Por kush është Kjara Adhami dhe çfarë e lidh atë me qarkun Gjirokastër. Edhe pse vetë është e lindur dhe rritur në Tiranë, ajo vjen nga një familje e njohur në Përmet.

Në aplikimin që ka bërë te platforma “Deputeti që Duam”, Adhami shprehet se zgjodhi të kandidojë në Përmet sepse ai është vendi i origjinës së saj, ku shkon shpesh ta vizitojë dhe dëshiron të kontribuojë për atë qytet qoftë dhe përmes angazhimit si deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Përsa i përket arsimit dhe anës profesionale, Kjara Adhami është diplomuar për Informatikë Ekonomike në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, si dhe ka kryer një Master për Siguri Informacioni në po atë fakultet. Në përfunim të studimeve rreth 5 vite më parë nisi punë në Kryeministri te Departamenti i Jetësimit të Prioriteteve. Aktualisht punon po në të njëjtin institucion si analiste në Kabinet të Kryeministrit, ku mbulon ndjekjen dhe çuarjen përpara të çështjeve prioritare në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Një angazhim i rëndësishëm profesional i saj ishte përfshirja në grupin e punës për hartimin e raportit të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Albania Post-Disaster Needs Assessment (PDNA), i cili u prezantua në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.

Kjara Adhami është gjithashtu pjesë e grupit për hartimin e planit të masave për qeverinë shqiptare lidhur me Shengenin Ballkanik. Më herët Adhami ka pasur edhe angazhime në shoqërinë civile për çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit. Përzgjedhja e saj bashkë me disa të rinj të tjerë mes rreth 1500 aplikantëve në platformën “Deputeti që duam” është një lajm i mirë edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë kryesisht në pozicione jo të privilegjuara nëpër lista. Sidoqoftë fakti që në këto zgjedhje votohet edhe emri i kandidatit është një mundësi më shumë për të mbledhur vota dhe nxitur një konkurrencë të shëndetshme brenda vetë listës që kanë miratuar partitë.