Luftëtari dështon që në ndeshjen e parë në Europë, mundet 5 me 0

Luftëtari është mundur me rezultatin e thellë 5-0 në ndeshjen e parë të tij në arnenën ndërkombëtare, duke zhgënjyer në sfidën përballë Ventspils në Letoni. Një ndeshje me dy fytyra e gjirokastritëve, të cilët nuk ishin prezent në fushë në pjesën e parë të ndeshjes, e më pas u munduan të reagonin në të dytën.

Dy penallti të shkaktuara dhe çdo dyluftim i humbur nga zikaltërit në pjesën e parë sollën pesë gola në portën e Bukovskit i cili nuk kishte çfarë të bënte përballë goditjeve të njëpasnjëshme në portën e tij me ekipin e Koshtiç që dukeji pafuqishëm të reagonte.

Në pjesën e dytë, Luftëtari dhuroi një tablo tjetër, ndoshta edhe për tërheqjen e vendasve. Ekipi shqiptar ishte më agresiv, duke kërkuar me ngulm të paktën golin e nderit. Por gjyqtari qipriot u bë protagonist i sfidës duke anuluar një gol të Shkurtajt e më pas duke mos akorduar një tjetër kur topi kishte kaluar vijën fatale, pa harruar këtu faullet që jepte në çdo rast në favor të ekipit vendas.

Shkurtaj ishte i pafat edhe kur goditi traversën e portës kundërshtare, duke mbyllur ndeshjen pa shënuar gol, që do ta kërkojë për statistikë në takimin e kthimit, pasi kualifikimi i mëtejshëm i Luftëtarit është kthyer në utopi që pas 45 minutave të para.