Luftëtari fiton ndaj Flamurtarit, Tavo shpërblen futbollistët

Ekipi i Luftëtarit ka marrë një fitore të rëndësishme në Vlorë, duke thyer ekipin e Shpëtim Duros, falë golit të Shkurtaj. Në fundin e takimit festa ishte e bluzinjve, që pas kësaj fitore në ditën e sotme, vazhdojnë rrugën e tyre pozitive në kampionat. Ekipi i Luftëtarit ka 10 ndeshje pa pësuar humbje pas përfundimit të këtij takimi, por kjo nuk është statistika e vetme pozitive që është vendosur në ditën e sotme.

Për të parë fitoren e fundit të Luftëtarit në Vlorë, duhet të ktheheshim shumë pas në kohë, në vitet 1978. Duke parë këtë situatë dhe formën fantastike që është duke kaluar ekipi i Likës, presidenti Tavo ka vendosur të motivojë skuadrën.

Presidenti i Luftëtarit i ka premtuar një premio klubit, megjithëse përpara kësaj ndeshje nuk ka lajmëruar për diçka të tillë. Por fitorja befasuese ndaj Flamurtarit, ka bindur Tavon që të shpërblejë futbollistët e Luftëtarit në përfundimin e këtij takimi.